Kanë kaluar dy javë, që kur Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen e 19 prillit, e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë Kuvendi i Serbisë nuk po vepron në të njëjtën mënyrë.

Por, përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, që kanë mbështetur ratifikimin e marrëveshjes, vlerësojnë se, pavarësisht kësaj, vendimin të cilin e ka marrë Serbia, pra nënshkrimi i marrëveshjes në Bruksel, është i plotëfuqishëm edhe në atë vend.

Deputeti i PDK-së, Behar Selimi, thotë se është duke pritur që Serbia, pas një presioni nga ndërkombëtarët, ta fusë në procedurë ratifikimi.

“Pres që, pas një presioni, Serbia ta fusë në procedurë ratifikimi marrëveshjen. Sidoqoftë, ne detyrimet tona do t’i kryejmë, se territori i veriut të Kosovës është territor i Republikës së Kosovës dhe normalizimi i gjendjes atje është me interes për vendin tonë. Serbisë nuk i intereson ai normalizim, nuk i ka interesuar asnjëherë. Të gjitha këto detyrimë i ka marrë nga presioni dhe atyre nuk u bëhet vonë, a do të vonohemi ne në shtrirjen e sundimit të ligjit gjithandej territorit tonë, dhe a vonohemi në rrugën e integrimit europian”, tha Behar Selimi.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se procesi ka korniza të parimeve të fqinjësisë së mirë, që janë në kuadër të marrëveshjes së Kopenhagenit dhe Serbia do të mund që, në këto korniza, ta ratifikonte marrëveshjen pa problem.

“Ajo që shoh si avancim, në raport me statusin e Kosovës, është rrëshqitja e qëndrimit zyrtar të Serbisë nga ‘mospranimi’ në ‘neutralitet’ ndaj statusit. Praktikisht, ata kanë marrë qëndrimin e institucioneve europiane dhe atyre ndërkombëtare, që neutraliteti karshi statusit, i mundëson që të çojë proceset përpara”, tha Lutfi Haziri.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, subjekt i cili kundërshton marrëveshjen me Serbinë, thotë se, nëse shihet nga aspekti formal, këtu nuk ka as reciprocitet.

“Nëse e marrim nga aspekti formal çështjen dhe e zbrazim nga aspketi përmbajtësor, këtu nuk ka as reciprocitet. Kjo do të duhej të ishte kritika minimale e atyre, që pajtohen me marrëveshjen. Ne, që nuk pajtohemi me marrëveshjen, kemi edhe arsye përmbajtësore. Pikërisht pse kemi hyrë në një proces të pabarabartë, në thelb të padrejtë, edhe forma e tij s’ka se si të jetë reciprocitet”, tha Glauk Konjufca.

Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, thotë se detyrimet nga marrëveshja për Serbinë janë të plotfuqishme.

“Serbia nuk e ratifikon, sepse mendon se Kosova nuk është shtet, mirëpo vendimin, të cilin e kanë marrë, është i plotfuqishëm atje”, tha Ardian Gjini.

Sidoqoftë, më 27 qershor, marrëveshja Kosovë – Serbi është ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare me 84 vota ‘pro’, 3 ‘kundër’ dhe 0 ‘abstenim’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA