Tani që autokrati është përsëri në opozitë

11/07/2013 00:00

Andrea Stefani – Kur një autokrat rrëzohet nga pushteti, përgjithësisht,
problemi më i madh është me pushtetin që pason. A do të qeverisë ai
ndryshe apo do të përsërisë në forma të tjera të njëjtën shtypje?

Sepse jo rrallë, ndodh që edhe pse vjen në fuqi me flamurin e lirisë në dorë dhe thirrjet për të në gurmaz, një pushtet i ri mund të ndjekë zakonet e pushtetit të vjetër. Kjo dukuri është mjaft e përhapur në vendet e tranzicionit lindor, por edhe në ato të përfshira nga vala e pranverës arabe, nga Putini në Rusi, Orbani në Hungari e deri te Mursi në Egjipt. Edhe Shqipëria nuk bëri përjashtim nga kjo prirje që provon se zakoni i sundimit ka rrënjë shumë më të thella që i mbijetojnë valës së revolucioneve demokratike. Pasi përmbysi diktaturën komuniste ajo solli në pushtet një autokrat si Sali Berisha. Tani sapo e ka përmbysur përsëri. Dhe përsëri nuk i ka larë për fare hesapet me të.

***

Më 23 qershor, shqiptarët kanë realizuar diçka të hatashme. Kanë rrëzuar me votë një autokrat që i kishte shfaqur të gjitha simptomat se nuk do të largohej me votë. Nuk është as koha dhe as hapësira e nevojshme për të analizuar morinë e faktorëve, të brendshëm dhe të jashtëm, që e bënë të mundur këtë “mrekulli”. Por ndërsa largimi i autokratit nga pushteti është një fitore historike, është më urgjente të analizohet se cilat mund të jenë pasojat negative të largimit paqësor të tij. Dhe e para që të shqetëson është cilësia e opozitës në të ardhmen e afërt.

***

Përmbysja e autokratit nga një protestë popullore, që për shkak të masivitetit e pagëzojnë edhe “revolucion demokratik”, pasohet edhe nga shpartallimi i klanit të ngushtë politik të oborrit të sundimit, por edhe nga shpërbërja e partisë politike që e ka mbështetur. Por ndryshon puna kur autokrati përmbyset me zgjedhje dhe kalon në opozitë së bashku me partinë e tij. Në këtë rast ekziston rreziku që ai të rimëkëmbet duke zhvilluar opozitë kundër qeverisë dhe ka më shumë shanse ta bëjë një gjë të tillë, sa më shumë qeverisja e re i ngjan qeverisjes së tij të vjetër, sa më shumë përsërit zakonet e vjetra të sundimit dhe i përngjan atij në korrupsion. Çështja është se, në mungesë të një opozite të vërtetë demokratike, vendi i zhgënjyer pas disa vitesh me qeverinë e re, detyrohet të risjellë në pushtet për të shpëtuar nga të këqijat e saj, nga korrupsioni, arroganca dhe papërgjegjshmëria, pikërisht autokratin që dikur kishin përmbysur me shumë gëzim. Autokrati i djeshëm bëhet shpëtimtari i së nesërmes, e kaluara shfaqet si e ardhme! Dhe nuk do të kalojnë pak vjet dhe njerëzit do të duan ta përmbysin përsëri në emër të lirisë dhe luftës kundër korrupsionit. Por a do të jenë më ato rrethana që do të mundësonin mrekullinë, pra largimin paqësor të autokratit si dikur!

 

***

Në pak rreshta kemi përshkruar atë cikël që Shqipëria e ka përshkuar disa herë në këta 23 vjet. Përmbysi Ramiz Alinë me thirrjen liri demokraci, për të sjellë në pushtet Sali Berishën, për liri e demokraci përmbysi Sali Berishën për të sjellë në pushtet Fatos Nanon, po për liri e demokraci përmbysi Fatos Nanon për të risjellë në pushtet Sali Berishën dhe po për liri e demokraci ripërmbysi Sali Berishën për të sjellë në pushtet Edi Ramën. Çdo të ndodhë në vitet që vijnë. Mos vallë do të përmbysin Edi Ramën për të risjellë në pushtet për herë të tretë Sali Berishën?! Një gjë e pamundur? A nuk perceptohej i tillë rikthimi në pushtet i Berishës më 2005-n sa edhe vetë Presidenti amerikan Klinton e kish krahasuar me një lumë që nuk kthehet mbrapsht? Por ndodhi. Pse? Sepse Sali Berisha ishte e vetmja alternativë opozitare për pushtetin. Shqiptarët nuk kishin mundësi të tjera zgjedhjeje. Ndaj dhe për të rrëzuar Fatos Nanon votuan autokratin Berisha, duke i zënë besë përrallës se kish ndryshuar. Dhe u deshën 8 vjet që të shpëtojnë mrekullisht prej tij.

 

***

Dhe rikthimi i Berishës në pushtet, ky paradoks, duket se është marrë seriozisht jo vetëm prej vetë Berishës, por edhe prej klanit të tij politik. Prandaj në mos Berisha, alternativë kryesore opozitare e qeverisë Rama do të jetë berishizmi. Sepse triumfi me votë kundër Berishës, pavarësisht se është një fitore historike, ka krijuar mundësi që ai të ruajë të gjithë strukturën politike dhe partiake. Dhe ende pa hyrë në zyrë kryeministri i ri, Berisha, Basha dhe Olldashi kanë nisur ta akuzojnë për korrupsion, arrogancë apo revansh politik. Pasi i ka përdhunuar për 8 vjet institucionet dhe administratën publike, autokrati në opozitë ka nisur të gërthasë në “mbrojtje” institucioneve. Ka nisur të rishfaqet grotesku i pas vitit ’97, kur Berisha, babai i korrupsionit në tranzicion, nisi të tundë flamurin e antikorrupsionit dhe që në emër të gjoja mbrojtjes së opozitës dhe liderit të saj nga revanshi politik i pushtetit, i ndali dorën drejtësisë për të ndëshkuar sipas ligjit krimet e pushtetit të tij. A do të tolerohet më përsëritja e këtij teatri absurd që mund të çojë një ditë ose në rikthimin e autokratizmit berishist ose në një pushtet pa mbarim të së majtës?

***

Ka disa mënyra për ta shmangur atë. Njëra është që Partia Demokratike të reformohet rrënjësisht duke shpallur distancimin nga tradita autokratike e Berishës, nga berishizmi si një formë neokomuniste e kapjes së shtetit e maskuar me “demokraci”. Kjo kërkon që PD-ja ta largonte, ashtu siç bëri shumica dërrmuese e shqiptarëve, plakun për “në shenjtnin e tij”. Duket se kjo nuk mund të ndodhë. Berisha është për PD-në si zemra për trupin. Prandaj një tjetër mundësi do të ishte dalja e forcave të tjera të djathta, si për shembull FRD-ja, të afta të riorganizojnë, në fakt të themelojnë, të djathtën përreth idealeve të demokracisë liberale perëndimore. Ndërkaq, reformimi i së djathtës varet edhe nga faktorë që nuk kanë të bëjnë me të djathtën. Një qeverisje e mirë e së majtës në përputhje me premtimet për vendosjen e sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve, do të pamundësonte që Berisha dhe berishizmi të rishfaqeshin si kalorës të shtetit ligjor, lirisë, demokracisë dhe antikorrupsionit. Por kjo kërkon, para së gjithash, edhe një pushtet të pavarur drejtësie, të predispozuar të godasë korrupsionin e madh qeveritar, që prej vitesh qëndron i paprekur në qiellin e pandëshkueshmërisë. Ne nuk e kemi ende një pushtet të tillë drejtësie. E metë që mund t’i japë shans Berishës dhe pushtetarëve që bënë korrupsion në këta 8 vjet, të ankohen për “persekutim politik” aty ku, në fakt, duhet të ndëshkohet një korrupsion.

Gazeta “Shqip”

Top Channel