Dajti: Ju tregoj vrasjen e policëve në Tropojë

10/07/2013 00:00

Dritan Dajti kthehet në akuzator, megjithëse është i arrestuar për
vrasje të katërfishtë në vitin 2009, madje ndaj punonjësve të Policisë
së Shtetit. Në seancën e djeshme gjyqësore, i pandehuri ka vijuar të
tregojë disa grimca nga vrasja e Fatos Duçkollarit, më 9 gusht 2009, ku
pretendon se nuk e ka qëlluar ai, por oficeri F.Gashi.

Ai tha se oficeri e ka qëlluar me kallashnikov, ndryshe nga pretendimi i prokurorisë, që duke iu referuar provave, pohon se Dajti është vrasësi i katër punonjësve të Policisë së Shtetit. Duke përfituar nga zvarritjet e njëpasnjëshme, i pandehuri ka vijuar “lojën” e tij, fillimisht duke rrëfyer ato që do të thotë dhe më pas braktis seancën, pasi thotë se nuk mund të vazhdojë pa avokat.

Në këtë mënyrë, procesi vijon dhe ai, i dyshuari për krimin e rëndë, vazhdon të “tallet” me sistemin e drejtësisë. Dje ai përsëriti se gjykata duhet t’i mundësojë një ballafaqim me oficerin F.Gashi, me të cilin është ndeshur edhe më parë në gjykatë. Por, në atë kohë, Dajti nuk ka pasur të tilla pretendime për vrasjen e Duçkollarit. Ai u shpreh se nëse gjykata pranon këtë ballafaqim, ai është në gjendje të zhbllokojë procesin gjyqësor, që po vazhdon të zvarritet prej më shumë se tre vitesh.

Për gjykatën, kjo kërkesë është e papranueshme pasi ata të dy, janë ballafaquar, kur efektivi i policisë është pyetur me cilësinë e dëshmitarit pranë kësaj gjykate. Dritan Dajti, para se të largohet me dëshirë nga salla e gjyqit, pasi dy avokatët e caktuar kryesisht nuk pranuan të marrin përsipër mbrojtjen e tij, lëshoi përsëri akuza ndaj drejtuesit të policisë A.Muça.

Sipas Dajtit, Muça është i përfshirë në dy vrasje të punonjësve të policisë në Tropojë, në kohën që kryetari i kësaj trupe gjyqësore ushtronte detyrën e gjyqtarit pranë kësaj Gjykate. Prokurori i çështjes i kërkoi togave të zeza të mos lejojë Dritan Dajtin të flasë dhe të akuzojë zyrtarë e punonjës të policisë, me të cilët i pandehuri është ballafaquar në sallën e gjyqit, kur ata janë pyetur me cilësinë e dëshmitarit. Seanca u shty për më datën 24 korrik, ditën ku u kërkua të paraqiten dy avokatë mbrojtës.

Top Channel