Eksportet e prodhimeve bujqësore të zonës së Myzeqesë kanë rënë këtë vit në mënyrë drastike. Për javë të tëra shumë pak eksportues blinin prodhimet e fermerëve të zones, ndërsa prej katër ditesh asnjë kilogram domate nuk po shitet për eksport.

Kjo ka bërë që cmimi brenda javës të zbresë nga 110 lekë kilogrami në shitje në 35 lekë, ndërkohë që në kulmin e prodhimit një vit më parë cmimi nuk ranë nën 50 lekë për kilogram.

Tregu i brendshëm nuk e tërheq dot të gjithë këtë prodhim dhe shpresa e fermerëve ishin eksportuesit në Kosovë, Serbi, Hungari, Poloni e Çeki, por së fundmi ata nuk po shfaqen më në tregun më të madh të prodhimeve bujqësore në Lushnje.

Janë të paktën 1 mijë fermerë që sjellin në mëngjes dhe marrin sërish prodhimet e tyre në këtë treg pa mundur të shesin. Ata kujtojnë fluksin e madh të shitjeve një vit më parë që u solli edhe fitime, ndërsa këtë vit parashikojnë shumë humbje nga rënia e cmimeve dhe mosshitja e prodhimit.

Top Channel