Dy vjet në burg gabimisht

08/07/2013 00:00

“Këtu nuk gjen drejtësi, vetëm lek. A ke lek del përjasht. Ndryshe nuk ka…”

35-vjeçari Petrit Gjeta nga Mirdita pretendon se drejtësia shqiptare është treguar e padrejtë me të. Sapo  ka lënë burgun e Shënkollit ai ka ardhur në Tiranë për të siguruar një avokat në mënyrë që ta përfaqësoje gjatë procesit që pritet të hapet për shkaktimin e dëmit, sipas tij, nga arrestimi i padrejtë.

Gjeta është mbajtur dy vjet në paraburgim për akuzën e plagosjes në bashkëpunim,  me pasojë vdekjen e Bardhok Markut, ngjarje e ndodhur në fshatin Gjegjan, në një kohë që në përfundim të procesit ai u gjet i pafajshëm për këtë akuzë.

Por gjykata sipas tij, për të justifikuar mbajtjen në burg, e shpalli fajtor për një tjetër akuzë, atë të moskallëzimit të krimit. Petrit Gjeta thotë se do t’i shkojë të vërtetës deri në fund pasi përvec dëmit moral, ai thotë se i është shkatërruar jeta, pasi bashkëshortja e divorcoi gjatë kohës që u mbajt në burg, ndërkohë që i ati i ndërroi jetë.

“Mua më kanë shkatërruar familjen. Jo vetëm unë që e kam vuajtur, por edhe familja për akuzën që më kanë ngritur. Njëherë më kanë akuzuar si autor të ngjarjes, pastaj kur kanë parë se unë nuk kam lekë. Unë lekë nuk kam t’i jap kurrëkujt. Unë kërkoj dëmshpërblimin që më kanë mbajtur padrejtësisht, edhe ata e dinë shumë mirë që jam i pafajshëm, dhe kërkoj dokumentat që m’i kanë bllokuar”, thotë Gjeta.

Për plagosjen me pasojë vdekjen e Bardhok Markut ndodhet i arrestuar Nikolin Gjeta, për të cilin gjykata dënoi Petritin se nuk kishte treguar që i vëllai ishte autori.

35-vjeçari i lutet Avokatit të Popullit ta verifikojë rastin e tij pasi në të ka shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

“T’i shikojë gjërat që në thelb, që në fillim. Si dhe kush më ka marrë në pyetje? Si janë bërë shkeljet e oficerit të Policisë Gjyqësore, Prokurores, Gjyqtarit të gjitha. Nëse ka mundësi t’i shikojë të gjitha me radhë. Ka padrejtësi shumë të mëdha. Fusin njerëz brenda sepse kanë kujtuar se unë kam lek ngaqë kam qenë jashtë shtetit”, apelon 35-vjeçari.

Avokati i sapokontaktuar prej 35-vjeçarit, Idajet Beqiri deklaroi për Top Channel se do ta ndjekë këtë cështje në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Top Channel