Gjendja e rëndë ekonimike, mundësi të pakta punësimi, shërbimi i dobët shëndetësor e shumë arsye të tjera themelore për jetën bëjnë që një numër i madh qytetarësh të braktisin Kosovën.
Në pamundësi të lëvizjes së lire, rruga më e shpeshtë e depërtimit në shtetet evropiane është kalimi ilegal i kufirit Serbi-Hungari, duke shpresuar në krijimin e kushteve më të mira të jetesës.
“Arsye ka shumë: papunësia dhe rroga minimale mujore 150 euro. Me to unë as blej dot barnat për të kuruar fëmijën e as paguaj dot rrymën”, thotë një punëtor.
“Papunësia e madhe, korrupsioni i madh. Për njerëzit që ikin në mënyrë ilegale fajtore është edhe qeveria”, thotë një i ri.
Ndonëse të ftuar nga organizime artisike e kulturore, problemin e lëvizjes së lirë e kanë edhe artistët e Kosovës. “Njoh shumë njerëz të cilëve karriera u ka shkuar shumë mirë, por u ka rënë poshtë sepse s’u kanë dhënë vizat”, tregon DJ Toton.
Duke e konsideruar si gjendje alarmante, kryetari I Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i bëri thirrje qytetarëve përmes një konference për shtyp që të mos largohen nga Kosova.
“Nëse ky fenomen nuk ndalet, ai do të shkaktojë pasoja në zhvillimet e brendshme në vend. Mungesa e njerëzve do të shkaktojë pasoja edhe tek planet e Kosovës për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave. Mos e braktisni vendin, keni pritur deri sivjet, prisni edhe një vit, sepse ndryshimet në vendin tonë pritet të ndodhin në më pak se një vit”, deklaroi Haradinaj.
Ndërsa sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Burim Ramadani paraqiti 5 pikat themelore për parandalimin e kësaj dukurie, të cilat sipas AAK-së janë:
Forcimi i kontrollit kufitar, fuqizimi i lufës kundër trafikimit të qënieve njerëzore, dërgimi para drejtësisë i trafikantëve, anëtarësimi i Policisë së Kosovës në strukturat ndërkombëtare, bashkëpunimi bilateral i Kosovës me vendet e rajonit.
Top Channel