Prej afro dy muajsh rezonanca magnetike në spitalin rajonal të Durrësit
është jashtë funksionimit. Shumë pacientë nga Durrësi i drejtohen
spitaleve dhe klinikave të kryeqytetit për kryerjen e këtij ekzaminimi
të rëndësishëm.

Në mars të vitit të kaluar, spitali i Durrësit u pajis me rezonancën magnetike dhe skanerin, po një vit më pas një prej aparaturave nuk mund t’u ofrojë diagnostikim pacientëve.
 
Drejtoria e spitalit i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e heliumit, por ende asnjë përgjigje. Në buxhetin vjetor të spitalit nuk është parashikuar ky zë, ndërsa kontrata e mirëmbajtjes mungon.

Nëse Ministria nuk reagon, zgjidhja pritet nga bordi i spitalit që duhet të vendosë për akordimin e një fondi për blerjen e heliumit dhe vënien në funksionim të një prej aparaturave më të rëndësishme të imazherisë për diagnostikimin e sëmundjeve në këtë spital. Deri atëherë të sëmurët duhet të vazhdojnë t’i drejtohen Tiranës.

Top Channel