Itali, asgjesohen dy banda shqiptare

05/07/2013 00:00

Investoheshin në sektorin e pasurive të patundshme në Shqipëri dhe Itali të ardhurat e dy organizatave kriminale të shkatërruara nga forcat italiane të rendit në gjashtë rajone në veri të vendit.

Të paktën 43 persona, gati të gjithë shqiptarë, kanë përfunduar në pranga me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe bashkëpunimit në aktivitete të paligjshme.

Autoritetet e vendit fqinj njoftojnë se dy grupet shqiptare kishin bashkëpunimin e rreth 100 personave, shqiptarë por edhe ndonjë italian e rumun.

Është bërë e ditur se shfrytëzoheshin persona që kishin vështirësi ekonomike, ndonjeherë edhe familje me fëmijë të vegjël, që në këmbim të 2000-3000 eurove sillnin nga Shqipëria sasi të mëdha droge.

Kanali i komunikimit i përdorur nga anëtarët e dy organizatave nuk kanë qenë telefonatat, por interneti. Nëpërmjet rrjetit social Facebook dhe lidhjeve të tjera virtuale organizoheshin ngarkesat, udhëtimet e korrierëve dhe shpërndarja e drogës.

Llogaritet që organizatat kishin një xhiro prej rreth 2 milionë euro në muaj. Pas arrestimeve të sotme hetuesit po punojnë për zbulimin e plotë të rrjetit dhe personave të tjerë që mendohet se kanë bashkëpunuar.

Top Channel