Sequi: Prioritet axhenda evropiane

02/07/2013 00:00

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi ka zhvilluar paraditen e së martës takimin e radhës me kryetarin e PS, Edi Rama, me të cilin, siç tha ai, ka diskutuar për axhendën evropiane të Shqipërisë.

“Diskutuam për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe sfidat që ka vendi përpara. Diskutuam edhe për faktin se axhenda evropiane është në qendër të axhendës qeveritare. I theksova zotit Rama mbështetjen e BE-së për të vënë në zbatim këtë axhendë”, ka deklaruar Sequi.

Diplomati evropian ka vlerësuar deklaratën e zotit Rama se në legjislaturën e re do të mbizotërojë gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi dhe ka shprehur bindjen se pas zgjedhjeve fryma e kompromisit do të bëhet element i ri i politikës shqiptare.

“Shpresojmë që procesi zgjedhor do përfundojë në mënyrën dhe kohën e duhur. Duhet një tranzicion i butë i pushtetit politik”, ka sugjeruar Sequi.

Më tej, duke u fokusuar tek integrimi, ambasadori ka theksuar se Bashkimi Evropian i ka dyert e hapura për vendet e Ballkanit, duke vënë në dukje se Kroacia është shembulli më i mirë për këtë perspektivë.

“BE u kthye dje në një bllok me 28 shtete. Përvoja e Kroacisë do të ishte e mirë për Shqipërinë. Kjo dëshmon se perspektiva evropiane e vendeve të rajonit është e hapur dhe premtuese”, ka thënë Sequi.

“Besoj se Shqipëria ka gjithë potencialin dhe energjitë për të ecur në këtë proces. Shpresoj që statusi kandidat të jetë arritja e parë në këtë drejtim. Ai është i mundur të merret në dhjetor”, ka shtuar ai.

 

Top Channel