Fishekzjarret ndriçuan qiellin e Zagrebit në Kroaci duke shënuar fillimin e ceremonisë kremtuese të hyrjes në Bashkimin Europian rreth 20 vjet pasi vendi fitoi pavarësinë në një luftë të përgjakshme civile që tronditi mbarë kontinentin.

Mesnatën e së dielës, Kroacia u bë shteti i 28-të anëtar i bllokut, i pari që i bashkangjitet atij që prej 2007-s, kur BE-ja zgjeroi radhët me pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian shënon një pikë kthese historike për vendin e vogël, që u përball me masakra pas shpalljes së mëvetësisë nga ish-Jugosllavia në 1991-shin.

Një dekadë më vonë, kur nisi negociatat për aderim, Kroacia, dikur e shkatërruar nga lufta por tani në lulëzim, e priti me ngazëllim të jashtëzakonshëm perspektivën e shndërrimit në një anëtar të elitës europiane.

Por, me ngërçet e mëdha ekonomike të BE-së dhe recesionin, që ka përfshirë edhe vetë ekonominë e saj, entuziasmi është zbehur disi. Në Bruksel, megjithatë, ky aderim u përshëndet me një ceremoni të shkurtër, nën mikpritjen e presidentit të Këshillit Europian, Herman van Rompuy.

“Kam një urim të veçantë për kolegun tonë, Zoran Milanoviç, kryeministër i Kroacisë. Vendi juaj ka punuar shumë për të arritur këtë ditë dhe ia doli me sukses. Është vërtet një moment historik për Kroacinë, për qeverinë tuaj, për qytetarët e vendit tuaj. Ju keni qenë gjithmonë europianë dhe tani jeni anëtarë të BE-së me të drejta të plota. Kjo do të thotë mundësi të reja, do të thotë një e ardhme e përbashkët, por, me këtë vijnë edhe përgjegjësi”, u shpreh Herman van Rompuy, president i Këshillit Europian.

Disa ekspertë thonë se Kroacisë do t’i krijohen shumë mundësi. Por, duke qenë se BE-ja është ende në krizë, asistenca e saj ekonomike nuk ka për të qenë aq energjike sa ç’duhet të jetë. Përpos kësaj, shtimi i konkurencës, pas hyrjes në Bashkimin Europian, do të sjellë edhe sfida të reja. Vetë kryeministri Milanoviç mendon se ky hap do të përbëjë kapitullin e parë të një udhëtimi të gjatë.

“Jeta është udhëtim e jo destinacion. Ura është ajo që ka rëndësi, dhe jo qëllimi. Ndaj, kjo urë ka qenë mjaft e gjatë për ne. Një rrugëtim i gjatë me shumë shqyrtime, kontrolle e bilance, me shumë kapituj”, u shpreh Zoran Milanoviç, kryeministër i Kroacisë.

Pranimi i Kroacisë në BE përmbyllet pas një procesi 7-vjeçar. Ky aderim vjen në një moment shumë të vështirë për bllokun dhe një pjesë e shtypit gjerman e vlerëson në mënyrë kritike, e deri polemike, anëtarësimin e saj.

Ekziston frika se, Kroacia do të bëhet si Greqia, varr për paratë gjermane. Disa gazeta në Gjermani shkruajnë se ky vend është në borxh, thellësisht i korruptuar dhe i rrënuar nga papunësia e lartë.

9 vite zgjerim me vendet e lindjes
Analiza/ Mes krizës, Kroacia ishe me fat. Zgjerimi tjetër pas 1 dekade

Bashkimi Europian i vë kapakun 9 viteve zgjerim në lindje me pranimin e Kroacisë, që mbase për të paktën një dekadë do të jetë vendi i fundit i ish-bllokut komunist, i cili i bashkohet elitës europiane.

Me Kroacinë, BE-ja numëron 11 shtete ish-komuniste me një popullsi prej 100 milionë banorësh, të marra së bashku, dhe një prodhim ekonomik prej 1,4 trilionë dollarësh.

Pavarësisht entuziasmit të kroatëve, ky ndoshta nuk ishte momenti më i mirë për këtë aderim. BE-ja gjendet në mes të krizës më të keqe, që ka përjetuar ndonjëherë, dhe dëshira për të përfshirë më shumë anëtarë është praktikisht zero.

Me pranimin e Kroacisë, ekonomikisht blloku merr mbi vete një barrë të re. E përfshirë nga ngërçi i borxhit të jashtëm, e tronditur nga masat anti-krizë, që i gërryejne stabilitetin, ajo ndryshon thellësisht nga vendi i pasur, që nisi negociatat në 2005-n.

Recesioni ka pllakosur prej vitesh; papunësia llogaritet në gati 20 për qind. Jo se anëtarë më të vjetër të BE-së nuk kanë pasur telashe të tilla. Por, disa, e sidomos gjermanët, e shohin me dyshim bashkangjitjen e një vendi, që mund të sjellë më shumë probleme.

Në një kohë kur krerët europianë po përpiqen, mes shumë sforcosh, të gjejnë zgjidhje për vështirësitë e mëdha ekonomike dhe politike të bllokut, kombet përtej kufijve të tij përballen me një realitet të zbehur zgjerimi.

Ukraina është përfshirë në një betejë për kontroll me Rusinë, që lëviz levat e energjisë. Qeveritë europiane e shtynë me të paktën 4 muaj, në 25 qershor, rifillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë, në shenjë proteste – siç u tha – ndaj trajtimit të egër, që i bëri ekzekutivi i saj demonstruesve anti-qeveritarë.

Për Shqipërinë, Komisioni Europian rekomandoi vitin e kaluar dhënien e statusit kandidat, me kusht plotësimin e reformave. Kroacia ishte me fat, thjesht për shkak se bisedimet e anëtarësimit i kishte nisur me kohë dhe data e anëtarësimit ishte caktuar.

Gjermania është sot tepër e kujdesshme me zgjerimin dhe pranimi i anëtarëve të rinj ka për të qenë shumë më i vështirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA