Nderohet kompozitori Simaku

29/06/2013 00:00

Nga 160 konkurues prej 37 vendeve të botës kompozitori shqiptar me banim në Angli, Thoma Simaku është shpallur fitues i Konkursit Ndërkombëtara të Kompozicionit në Varshavë për nder të kompozitorit të madh polak të shekullit të XX, Witold Lutoslawski në 100-vjetorin e lindjes së tij.

Cmimi i parë i është akorduar Simakut për veprën “Koncert për Orkestër”. Vepra e Simakut do të ekzekutohet për herë të parë në natën finale të Festivalit Ndërkombëtar ‘Vjeshta e Varshavës’ më 28 shtator të këtij viti. Cmimi i dytë, i tretë dhe inkurajues iu dha respektivisht kompozitorëve nga Anglia, Rusia, dhe Japonia.

Pas marrjes së këtij cmimi, Simaku tha për Top-Channel se “Kjo është një ngjarje tepër e rendësishme dhe një nder i vecantë për të, jo vetem përsa i përket përmasave ndërkombëtare të konkursit, por Lutoslawski është një figurë qëndrore ndër klasikët e shekullit XX dhe muzika e tij plot vitalitet dhe emocion të frymëzon. “Gjithashtu ndjehem i gëzuar për faktin që do ta dëgjojë veprën për herë të parë”, tha Simaku.

Thoma Simaku është profesor i kompozicionit në Universitetin e York-ut në Angli dhe ka një aktivitet mjaft të pasur ndërkombetar. Për më shumë se dy dekada veprat e tij janë ekzekutuar në festivalet kryesore në mbarë Europen, në Amerikë dhe Japoni.

Ai ka fituar një seri çmimesh ndërkombëtare për cilësitë ekspresive të muzikës së tij. Më 2009, Simaku fitoi Cmimin ‘Kompozitor i Vitit’ nga Akademia Britanike e Kompozitorëve.

Top Channel