Marrëveshja e 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë përbëhet nga 15 pika, për të cilat palët janë takuar disa herë për të arritur pajtueshmëri.
Por, si do të bëhet zbatimi i kësaj marrëveshjeje? Plani i zbatimit përbëhet nga 6 elementë kryesorë, ku për secilin do të themelohet nga një grup pune, dhe ku parashikohen afate kohore, që nuk shkojnë më larg se fundi i këtij viti, disa prej të cilave tashmë kanë filluar të zbatohen në praktikë.
1. PËRSHTATJA E KORNIZAVE LIGJORE
Deri në mes të muajit qershor, të dy palët do të kenë miratuar të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore, që kërkohen për zbatimin e “Marrëveshjes së Parë”, duke përfshirë edhe Ligjin për Amnisti, por deri më tani ky ligj nuk është miratuar.
2. ASOCIACIONI / BASHKËSIA
Për këtë do të duhet një grup menaxhues nga të dyja palët, i cili do të përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave veriore, që aktualisht drejtohen nga kryetarë ilegalë, dhe do të themelohet pas miratimit nga autoritetet kompetente të Kosovës. Ky ekip përgatitor pritet të shpërbëhet deri në fund të muajit tetor, pas zgjedhjeve lokale dhe pas konfirmimit të rezultateve të këtyre zgjedhjeve.
3. POLICIA
Kjo është një nga pikat kryesore të marrëveshjes, pasi për një kohë të gjatë, në veriun e Kosovës kanë vepruar strukturat serbe të sigurisë. Sipas planit të zbatimit, parashikohet që, deri në mes të qershorit, Serbia do të fillojë mbylljen e strukturave të saj të sigurisë në Kosovë. “Serbia do të ofrojë të dhëna të detajuara rreth numrit dhe rangut të punonjësve të qeverisë serbe, në sektorin e sigurisë, të punësuar në Kosovë, të cilët kanë shprehur interes për t’iu bashkuar strukturave të Kosovës”, dhe se “Kosova do të ofrojë vende në Policinë e Kosovës dhe strukturat të tjera ekuivalente të Kosovës, në bazë të rezidencës, ashtu siç është e mundur”. Sa i përket kësaj çështjeje, deri në mes të korrikut të këtij viti, sipas planit, të gjithë premisat e strukturave serbe të sigurisë në Kosovë do të mbyllen, dhe deri në fund të vitit, anëtarët e strukturave serbe të sigurisë në Kosovë do të integrohen plotësisht në strukturat ekuivalente të Kosovës, me rroga të paguara ekskluzivisht nga buxheti i Kosovës.
4. DREJTËSIA
Në veriun e Kosovës nuk funksionon prej vitesh gjyqësori i Kosovës. Marrëveshja 15 pikëshe parashikon që, “autoritetet gjyqësore do të integrohen dhe të veprojnë në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës”, dhe që “Gjykata e Apelit në Prishtinë do të themelojë një panel të përbërë me shumicë serbe të Kosovës, për të gjykuar të gjitha rastet e komunave me shumicë serbe”. Ndërkaq, në planin e zbatimit thuhet se, deri në fund të majit, do të ketë një datë dhe plan për pezullimin e procedimit të rasteve, në kuadër të sistemit serb. Deri në fund të vitit, integrimi i autoriteteve gjyqësore do të ketë përfunduar, thuhet në planin e zbatimit të marrëveshjes, kurse të gjitha premisat e gjykatave serbe në Kosovë do të jenë mbyllur, me themelimin e organeve të reja, dhe personeli i tyre do të jetë i integruar në sistemin e Kosovës. Nuk do të ketë boshllëk në shërbime, thuhet në fund të kësaj pike të planit.
5. ZGJEDHJET LOKALE
Kosova, asnjëherë deri më tani, nuk ka mbajtur zgjedhje në komunat veriore të Kosovës, edhe pas disa tentativave, që patën rezultuar të pasuksesshme. Sipas Marrëveshjes, OSBE-ja do të lehtësojë organizimin e tyre, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare. Por, kur do të mbahen ato? Në planin zbatues, parashikohet që zgjedhjet lokale në Kosovë, përfshirë edhe komunat në veri, do të mbahen deri në fund të muajit tetor.
6. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Përmes këtij plani, parashikohet që Serbia të ofrojë një pasqyrë të detajuar të të gjithë financimeve të institucioneve në Kosovë. Po ashtu, përmes këtij plani, parashikohet edhe zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë, në procesin e dialogut, marrëveshje të cilat nuk patën kaluar pa debat në Kosovë.
Top Channel