Qeveria turke kërkoi nga rrjeti shoqëror “Twitter” ngritjen e një zyre brenda vendit, në mënyrë që përfaqësuesit e kompanisë të kontaktohen më lehtësisht nga autoritetet.
Ndërsa “Twitter” ende nuk ka reaguar zyrtarisht, kërkesa e Ankarasë zyrtare është konsideruar si një mjet i mundshëm presioni.
Aktualisht, Turqia vazhdon të jetë e përfshirë nga protesta anti-qeveritare, për të cilat “Twitter” dhe “Facebook” kanë dhënë një ndihmesë të madhe, në bashkërendimin e protestave dhe përhapjen e shpalljeve publike në të gjithë vendit.
Deri më tani, disa dhjetëra të dyshuar si nxitës të dhunës, nëpërmjet komenteve të tyre në “Twitter”, janë arrestuar nga policia.
Arrestimet janë konsideruar flagrante dhe të papranueshme nga organizata të mbrojtjes së fjalës së lirë në botë, të cilat kanë theksuar se postimet në rrjetet shoqërore janë një e drejtë e fjalës së lirë dhe se pavarësisht përmbajtjes, ato nuk mund të konsiderohen si nxitëse të trazirave masive.
”Kur na duhet informacion, dëshorijmë që të kemi dikë në Turqi të cilit t’i drejtohemi dhe të na e sigurojë këtë. Ekziston një nevojë për të pasur një zyrë lokale, që mund të dëgjojë ankesat tona ose mund të korrigjojë me shpejtësi një gabim, nëse do të verifikohet ndonjëi tillë”, komentoi Ministri i Transportit dhe Komunikacioneve, Binali Yildrim, ditën e enjte.
Top Channel