Nga paneli i “Shqipëria Vendos”, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi se i takon Partisë Socialiste të vendosë për kryeministrin e qeverisë së re.

“E kam shprehur që ne do të respektojmë rregullat e demokracisë dhe Kushtetutën dhe natyrisht që i takon Partisë Socialiste që të marrë këtë përgjegjësi. Por sigurisht nëse ata nuk e marrin ne e marrim atë, por në respekt të votës së popullit…i takon PS-së”, tha Meta.

Lidhur me pozicionin e tij në qeverinë e ardhshme, Meta tha se ende nuk është vendosur asgjë.

Meta komentoi edhe fitoren e së majtës. Ai tha se nuk e priste një votë kaq masive popullore për koalicionin e majtë dhe për LSI-në në vecanti dhe radhiti disa shkaqe, që sipas tij, karakterizuan votën e 23 qershorit.

“Besoj se kjo vjen me arsyet që kanë të bëjnë me vlerësime realiste të situatës politike. Unë kam qenë i bindur, pavarësisht se sistemi nuk e favorizon shumë votat, por që ka dhënë 80 mandate dhe këtë edhe për arsye të sondazheve tepër profesionale që ne kemi bërë vazhdimisht. Fitorja është realiste dhe është i domosdoshëm një ndryshim në shkallë të gjërë. Mendoj se ka nevojë për një qeverisje më përfshirëse dhe për një frymëmarrje”, tha Meta.

Kryetari i LSI-së u ndal edhe tek incidenti i Laçit. “Tensioni është se PD përmes dhunës dhe tenisonit të përmbysë situatën nga 4-3 në favor të saj dhe gjithë kjo vjen për shkak të mosqendrimit të qartë dhe korrekt të Policisë së Shtetit”, tha Meta.

Kreu i LSI-së shtoi se rendi dhe ligji duhet të jenë prioritet i qeverisjes së re. Sa për pështjellimin e krijuar për mandatin e katërt në Kukës, Meta tha se cdo votë e popullit duhet të lexohet qartë, aq më tepër kur bëhet fjalë për të vendosur një garë, sic tha ai, që vendoset nga një grusht votash.

Meta vlerësoi se e majta aktualisht është më e bashkuar se kurrë. Ai tha se ky bashkëpunim mes forcave të majta do të vazhdojë dhe do të jetë aftagjatë. “Spartak Braho është simboli i së majtës së bashkuar”, tha ai.

Kreu i LSI-së tha se duhet një ristrukturim i modelit ekonomik të vendit.

“Duhet të ristrukturojmë ekonominë tonë që bazohet tek konsumi dhe të ardhurat e emigrantëve, duhet t’i japim prioritet sektorëve që prodhojnë për të ulur importet e rritur eksportet ku bujqësia dhe agro-industria kanë peshën kryesore, por edhe sektorët e tjerë të mineraleve si dhe tërheqja e investitorëve të huaj, si parqe industriale”, tha Meta.

Meta tha se qeveria e re duhet të formohet sa më parë, jo vetëm për aspektin ekonomik dhe social, por edhe për disa detyra që i takojnë integrimit europian në mënyrë që në fund të vitit të merret statusi i vendit kandidat.

Top Channel