Problematika me numërimin në Tiranë

25/06/2013 00:00

Pavarësisht festës, probleme ka pasur në KZAZ-në nr 33 në kryeqytet, ku procesi ka pasur bllokime. Fryma e Re Demokratike shprehu shqetësimin e vjedhjes së votave.

Sipas kësaj partie, Bamir Topi ka mbi 10 mijë vota dhe e ka të sigurt mandatin në Tiranë. Ndërkohë, shqetësim shprehu edhe Partia Socialiste. Fatmir Xhafa tha se janë grahmat e fundit të pushtetit për të bllokuar numërimin.

“Është një fakt shumë i cuditshëm edhe njëherë, një regjim i cili është bazuar mbi vjedhjen e votës edhe në sekondat e fundit të largimit të tij. Ushtron presion dhe tenton të vjedhë votat e FRD-së pikërisht në këtë zonë numërimi. Duke ndjerë që mandati i zotit Topi në parlament është shumë i afërt, tentojnë që të marrin votat dhe ta rrëmbejnë si zakonisht mandatin e tjetërkujt. Kjo është një praktikë, e cila mendoj se tashmë i erdhi fundi, sepse shqiptarët e dhanë verdiktin dhe sovrani asnjëherë nuk mund të diskutohet, por unë u bëj thirrje këtyre politikanëve në largim dhe të dështuar, të heqin dorë nga dhunimi i votës së FRD-së, pasi atë që na ka dhënë populli, ne do ta lexojmë, do ta marrim dhe ankimojmë në Kolegjin Zgjedhor, në të gjitha instancat, dhe deputeti e mandati i FRD-së nuk mund të cënohet nga askush që e tenton këtë gjë. Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje edhe fituesve të këtyre zgjedhjeve, apo dhe liderit të tyre, i cili u bëtua solemnisht që vota e qytetarëve shqiptarë do të lexohet deri më një dhe, meqenëse ne nuk kemi komisionerë, atëherë ata duhet t’i mbajnë premtimet, të paktën në ditën e parë të pushtetit të tyre, që kanë dhënë para shqiptarëve. Të mos lejojnë të cënohet vota e kujtdo. Zoti Topi është shumë afër mandatit të deputetit, ka kaluar mbi 10 mijë vota dhe, pikërisht kjo është arsyeja, që falangat e pushtetit po vërsulen, që të mos e lejojnë atë të shkojë në parlament”, u shpreh Fatmir Shehri, kandidat për deputet i FRD-së.

“Ligji ka caktuar struktura përkatëse, të cilat janë duke bërë detyrën e tyre, por për fat të keq ka ende mendje të mbrapshta. Për fat të keq, ka ende njerëz, që nuk e njohin forcën e detyrimin e ligjit, ndaj dhe kërkojnë ta shfrytëzojnë e deformojnë procesin. Këtë gjë e bëjnë të nxehtë disa persona, të cilët kanë dështuar në përpjekjet e tyre për të marrë votën e popullit dhe, në kundërveprim të kësaj humbjeje fatale, që kanë në këtë zonë si në të gjithë Shqipërinë, po bëjnë përpjekjet e fundit për të krijuar tension e për të ndikuar mbi numëruesit. Këta janë njerëz, që u ka ngelur ora, absolutisht asgjë më shumë, por që unë mendoj se shumë shpejt do përgjigjen për këtë gjë. Nga ata, që gjoja kanë veshur sot kostumin e kandidatit për deputet, kryetari i njësisë bashkiake këtu dhe shumë e shumë elementë të tjerë, që janë edhe jashtë mureve të kësaj shkolle e që janë të lidhur edhe me segmente të korruptuara të policisë së shtetit”, deklaroi Fatmir Xhafaj, kandidat për deputet i PS-së.

Top Channel