Vrasje në Laç, vritet përkrahësi i LSI-së

23/06/2013 00:00

Regjistrohet ngjarja më e rëndë e kësaj dite zgjedhjesh, ku një person
ka mbetur i vdekur në Laç, pranë një qendre votimi dhe dy të tjerë janë
plagosur.

Policia e Lezhës njofton se jashtë qendrës së votimit në shkollën “At Shtjefën Gjeçovi”, 53-vjeçari Gjon Gjoni, përkrahës i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka mbetur i vrarë nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa Mëhill Fufi, kandidat i Partisë Demokratike ka mbetur i plagosur. Po ashtu eshte lenduar edhe nje tjeter person, i afert me kandidatin e PD-se, i cili eshte identifikuar si Kastriot Fufi.

Nderkohe ne vendngjarje jane gjetur 15 gezhoja nga tre arme te ndryshme, gje qe fakton qe perpara vrasjes dhe plagosjes ka patur shkembim zjarri. Policia ka shpallur ne kerkim 7 persona, mes te cileve eshte Kastriot Fufi, i cili aktualisht ndodhet ne spital, dhe Enver Curri, kunati i Gjon Gjonit. Po ashtu mesohet se policia ka prere edhe dy flete-arreste.

Një dëshmitare okulare tha për Top Channel se ka dëgjuar të shtëna jashtë qendrës së votimit dhe se ajo bashkë me njerëz të tjerë janë shtrirë në tokë në gjendje ankthi dhe paniku për ngjarjen.

Rama: Policia të garantojë rendin

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, menjëherë pas ngjarjes së rëndë, ku një përfaqësues i LSI-së humbi jetën pranë qendrës së votimit, ka shkuar në qytetin e Laçit, ku ka ndodhur ngjarja.

Në një prononcim për median Rama është shprehur: “Ne jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje. Nuk ka asgjë që ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve dhe ne jemi të vendosur, të organizuar kudo për të mbrojtur çdo votë. Këto janë përpjekje për të trembur njerëzit, për të larguar nga kutitë qytetarët, për të diktuar një vullnet që është krejtësisht minoritar dhe që nuk mund t’i kundërvihet vullnetit të popullit shqiptar. E pra edhe njëherë tjetër, qetësi, pjesëmarrje, durim edhe në radhët e gjata. Kudo nëpër Shqipëri ne kemi informacion që ka një derdhje të njerëzve drejt kutive të votimit. Kjo duhet të vazhdojë deri në fund edhe këtu në Laç, edhe këtu në zonën e Kurbinit. Ne do të garantojmë votën dhe vullnetin e popullit. Ju lutem të gjithë qytetarëve familjarisht të dalin në votim. Nuk ka kriminel dhe nuk ka forca kriminale që mund ta pengojnë popullin të vendosë. Për më tepër edhe njëherë tjetër i them Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë të ndahet përfundimisht nga ky flirt i patolerueshëm me forcat kriminale dhe t’a ndajë policinë nga ky bashkëpunim duke e vënë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të zgjedhjeve. Është një domosdoshmëri sepse kemi hasur në këto orë të fundit dhe në ditët e fundit, që nga Kukësi në gjithë zonë e veriut, një përpjekje të tillë, sepse ata e kanë kuptuar që edhe veriu do të vendosë bashkë me gjithë Shqipërinë për ndryshimin.”

Meta: Berisha nuk ikën dot pa gjak

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ishte në Laç pas
ngjarjes së rëndë ku mbeti i vdekur një përkrahës i LSI-së. Meta kërkoi marrjen e masave për të ndaluar përgjegjësit, kurse bëri një akuzë të rëndë për policinë, që po mbështet kriminelët.

“Policia e Shtetit është në funksion të manipulimit të zgjedhjeve në favor të Partisë Demokratike. Sali Berisha nuk ikën dot nga pushteti pa gjak. Do të mbrojmë votën në Laç, Mamurras dhe gjithë Shqipërinë”, tha Meta.

Deklarata e plotë për mediat Meta nga Laçi – “Dje në mesnatë kam qenë në qytetin e Lezhës dhe kam vizituar disa aktivistë dhe komisionerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat janë sulmuar me armën dhe me mjete të forta nga banditë të Partisë Demokratike në zonën e Laçit. Po dje kam takuar Drejtorin e Policisë së Lezhës së bashku me z. Spartak Braho dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, z. Hysni Burgaj, ku i kam njohur me këto zhvillime dramatike si pjesë e një skenari të dhunshëm dhe i kam kërkuar që policia jo vetëm të distancohet, por të marrë masa për të ndaluar një gjakderdhje të mundshme për sot. Sidomos në Laç, në Mamurras, në Fushë Kuqe absolutisht banditët dhe kriminelët, të cilët janë aktualisht tani që po flasim ne përpara qendrave të votimeve të Mamurrasit dhe po u bëjnë presion qytetarëve për të treguar votën, janë me mbështetjen e policisë dhe segmenteve të policisë këtu dhe në kupolën e lartë të policisë së Shtetit.

Ne kemi fakte që Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është në funksion të manipulimit të zgjedhjeve dhe të mbrojtjes së kriminelëve dhe banditëve të Partisë Demokratike, të cilët dalin me armë këtu e gjakosen dhe vranë një qytetarë të pafajshëm këtu sot para kësaj KZAZ-je.

Sali Berisha duhet të dijë mirë se ai që nga sot nuk është dhe nuk mund të jetë kryeministër i shqiptarëve, kjo histori ka përfunduar një herë e mirë. Me banditë e me gjak ai nuk qëndron dot, ai duhet të iki me çdo çmim dhe çmimin ai e zgjedhe vetë. Ne jemi për zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Ne jemi sot këtu dhe tani për të koordinuar dhe për të marrë gjithë masat për të mbrojtur votën e laçianëve, të popullit të Mamurrasit, të popullit të Fushës Kuqes, të Adriatikut e kudo.

Kjo histori ka përfunduar, Sali Berisha nuk është më kryeministri i Shqipërisë, ai nuk ikën dot nga pushteti pa gjak. I paralajmëruam dje në mesnatë autoritetet më të larta të Policisë së Shtetit dhe kjo gjë ndodhi. Për do gjë çdo gjë do të mbajë përgjegjësi Sali Berisha dhe banditët e tij të cilët nuk i mbron dot nesër as Saliu, as Flamuri, as Kuliçi dhe asnjë tjetër.

Ne i kemi marrë dhe do të marrim të gjitha masat, do të mbrojmë çdo votë dhe njerëzit të shkojnë të votojnë. Në Laç në Mamurras në Fushë Kuqe dhe në të gjithë Shqipërinë. Fitorja do të jetë plebishitare”. 

Deklarata e PD-së për ngjarjen e Laçit

Politikanet e nekro-politikes vrapuan te nxjerrin kapital politik me ngjarjen tragjike te Lacit, nje akt i paster terrorist ndaj kandidatit te Partise Demokratike, Mëhill Fufi.

Politikanet e nekro-politikes harruan te shprehin ngushellime publike per familjen e viktimes dhe te permendin plagosjen e kandidatit te PD dhe te afermit te tij nga persona, mbeshtetes dhe perkrahes te PS dhe aleateve te saj, disa prej te cileve  shkuan nga Tirana per motive te paqarta.

Keta persona, thirrjes te kandidatit tone, largohuni dhe mos ndani leke ketu i jane pergjigjur me arme, duke plagosur kandidatin e PD dhe te afermin e tij, Kastriot Fufi.

Partia Demokratike denon cdo akt dhune, fton qytetaret te votojne te qete, te marrin pjese te gjithe ne keto votime qe jane te nje rendesie jetike per zhvillimin dhe integrimin e shqiperise ne BE.

Partia Demokratike i shpreh ngushellimet familjes se viktimes dhe i uron sherim te shpejt kandidatit per deputet Mehill Fufit dhe te afermit te tij, Kastriot Fufi.

Partia Demokratike denon me ashpersi cinizmin, papergjegjeshmerine dhe thirrjen per dhune te çiftit Rama –Meta, qe te etur per pushtet shpallin se jane te gatshem me cdo mjet te permbysin qeverine demokratike.

Partia Demokratike ju kujton ketyre aventuriereve politike se vota e lire e shqiptareve do te respektohet me cdo cmim dhe se cdo mjet tjeter, perveç votes se lire, per te marre pushtetin, ka vetem nje pergjigje ligjore: deshtimin e plote dhe total te aventures dhe aventuriereve te saj.

Duke perfunduar, Partia Demokratike falenderon perzemersisht te gjithe zgjedhesit shqiptare per pjesmarrjen e larte ne keto votime dhe fton cdo qytetar te permbushe detyrimin e tij politik dhe atdhetar, te vojne sot, te mos i mungojne shqiperise kete dite percaktuese per 4 vitet qe vijne

Mustafaj: Frikë për përhapjen e incidentit

Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj deklaroi në studion e Top Channel se është tepër i shqetësuar për ngjarjen e Laçit, ndërsa i frikësohet faktit që ajo që ndodhi atje mund të përhapet.

“Une kam qene neper fushata dhe kurre nuk me ka ndodhur ndonje incident. Kjo sepse komisioneret,mbeshtetesit e mi e dinin shume mire qe ne rast incidenti une nuk i dilja atyre ne mbrojtje, por do te lija ligjin te vepronte per ta”, tha Mustafaj.

Vëzhguesit vendorë tregojnë problemet e konstatuara

Në mesditë edhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka raportuar mbi rezultatet e vëzhgimit deri në këtë kohë, duke folur për disa parregullësi, mes te cilave problemet e përhershme të zgjedhjeve shqiptare si votimi kolektiv, fshirja e bojës dalluese, etj.

“Është vënë në dukje se klima është e qetë por ka një tension të brendshëm që është shkaktuar nga grupe të caktuara pranë qendrave të votimit, që kanë dhënë mesazhe dhe u është ofruar njerëzve një orientim për kë të votojnë”, ka deklaruar vëzhguesja Gerta Meta.

“Gjithashtu lejohen njerëzit të votojnë në grupe dhe pa karta identiteti. Ka pasur edhe probleme me materialet zgjedhore në disa qendra, pasi votuesit kanë qenë më të shumtë se fletët e votimit”, ka shtuar Meta.

Top Channel