Policia: Laçi, po hetojmë ngjarjen

23/06/2013 00:00

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit doli në një deklaratë për median ku renditi më shumë se 12 ngjarje kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit në vend, përfshirë krimin e rëndë në Laç.

Por nuk ka ende asnjë të dhënë lidhur me dinamikën e këtij krimi, për të cilin u tha vetëm se po vazhdon hetimi. Por policia nuk ka përfshirë pjesë të deklaratës aktin e dhunshëm ndaj grupit të xhirimit të Top Channel në Laç.

“Strukturat e Policisë së Shtetit po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së rëndë. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor që drejtohet nga prokurori i Kurbinit dhe ku bëjnë pjesë ekspertët më të mirë të Policisë së Shtetit”, deklaroi zëdhënësi Tefik Sulejmani.

Pak përpara kësaj deklrate, nga Ministria e Brendshme, Avni Neza, shef për marrëdhëniet me publikun, akuzoi opozitën se është duke sulmuar Policinë e Shtetit.

“Ministria e Brendshme i konsideron të papranueshme sulmet e partive të opozitës ndaj policisë. Uniformat blu janë të vendosura për mbarëvajtjen e proçesit zgjedhor. Policia po punon gjithashtu për zbardhjen e ngjarjes në Laç.

Sulmet ndaj uniformave blu janë për të dëmtuar proçesin zgjedhor. I bëjmë thirrje partive politike që të distancohen nga çdo veprim anti-policor”, deklaroi Neza.

Top Channel