Bumçi: PS-LSI, gjuhë banditeske

23/06/2013 16:20

Kandidati për deputet i PD, Aldo Bumçi ka dënuar ngjarjen e ndodhur në Laç, ku mbeti i vrarë një simpatizant i LSI, dhe ndërkohë ka ftuar liderët e opozitës që të distancohen nga fjalori arrogant, me akuza ndaj policisë dhe qeverisë.

“Shpreh keqardhjen për ngjarjen e rëndë në Laç. Shpreh ngushëllimet për familjen e të ndjerit dhe urim për shërim të shpejtë të të lënduarit”, ka deklaruar Bumçi.

“Ndërkohë, iu bëj thirrje kokave të nxehta, drejtuesve të opozitës, që të përmbahen dhe të distancohen nga sulmet arrogante, pasi s’janë në pozitë të bëjnë as prokurorin as gjykatësin. Kokat e nxehta vetëm sa nxisin veprime të papërgjegjshme”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, Bumçi ka ftuar forcat e së majtës që të ndalojnë presionin ndaj votuesve të këtij qarku dhe blerjen e votës, “një akt i rëndë kriminal që dënohet”.

“Gjatë gjithë kësaj kohe në këtë qark kemi hasur presionin ndaj votuesve. Kokat e nxehta të distancohen nga gjuha dhe veprimet banditeske”, ka shtuar kandidati i PD.

Mëngjesin e së dielës, jashtë qendrës së votimit në shkollën “At Shtjefën Gjeçovi”, 53-vjeçari Gjon Gjoni, përkrahës i LSI mbeti i vrarë nga të shtënat me armë zjarri.

Ndërsa Mëhill Fufi, kandidat i Partisë Demokratike mbeti i plagosur. Po ashtu u lëndua edhe një tjetër person i afërt me kandidatin e PD-së, i cili është identifikuar si Kastriot Fufi. 

Top Channel