Mercedes: “Nuk apelojmë!” Ferrari: “Shpëtojnë fajtorët!”

22/06/2013 03:35

“Falja” e marrë nga Tribunali Ndërkombëtar i FIA-s ka zgjidhur një problem te Mercedes që, pas seancës dëgjimore në Paris, ka reaguar kështu:

“Gjykatësit kanë konfirmuar se kemi vepruar me vullnet të mirë, sa i përket testeve me Pirelli-n. Mercedes pranon ndëshkimet proporcionale të një qortimi dhe pezullimin nga testet e ardhshme për pilotët e rinj, të dhëna nga tribunali”, shkruhej në komentin e deklaratës zyrtare.

“Nuk kemi dashur të sigurojmë ndonjë avantazh sportiv në mënyrë jo korrekte – pranon skuderia, e cila nënvizon se – nuk ka asnjë motiv për të besuar se rruga e lirë për testet me Pirelli-n nuk duhej dhënë”.

Në fund, Mercedes ka njoftuar se nuk do të apelojë vendimin e gjykatësve. Ndërkohë, reagimi i Ferrarit ka qenë ironik dhe shumë i ashpër.

“Sot kemi mësuar se, edhe kur je fajtor (dhe ky është fakt i padiskutueshëm dhe i sprovuar), ka gjithmonë një mënyrë për t’ia hedhur “pa u lagur”. Mjafton t’u sugjerosh gjykatësve ndëshkimin, e akoma më mirë nëse ky është dicka më shumë se një shuplakë”, ka qenë komenti ironik i Ferrarit ndaj vendimit të FIA-s.

“Mbetet vetëm – ta themi paksa me mëdyshje – që të shohim se edhe njëherë, ai që është fajtor praktikisht të mos paguajë, për faktin që ka siguruar një avantazh të padrejtë sportiv. Mos më thoni se është e njëjta gjë, si të vish të stërvitesh për 3 ditë në pistën e Catalunya-s vetëm me pilotët e tu më të mirë, apo ta bësh këtë së bashku me 9 skuderitë e tjera në pistën e Silverstone, me pilotë të rinj me perspektivë, një vend ku paqartësia meteorologjike mbretëron si sovran edhe në mes të verës. Pastaj, nëse ky testim do të zhvillohej pas atyre të rezervuar të rinjve, cili do të ishte ndëshkimi? Ndalimi për të bërë mbrëmjen e fundvitit?”, përfundon kundërpërgjigja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA