LSI denoncon kryebashkiakun Mziu

22/06/2013 22:40

Ylli Manjani, kandidat për deputet i LSI-së, ngre shqetësimin e ushtrimit të presionit ndaj mbështetësve të kësaj force politike, nga Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë Kamëz, vetëm pak orë nga nisja e procesit të votimit.

“Gjithcka ka filluar nga një telefonatë kërcënuese e banditit Xhelal Mziu. Dy vëllezërve, që kanë një servis, u është thënë se më datë 24 do t’ua prishin atë, nëse nuk votojnë Partinë Demokratike dhe i kanë ftuar në pritë, e them me plot gojë në pritë. Dy cubat në fjalë, cubi Xhelal dhe cubi mercenar, Asllan Dogjani, kanë qenë në një lokal, të cilët në këtë pritë i kanë rrahur të dy vëllezërit dhe, përvec kësaj, kanë shkuar edhe mbështetësit tanë për t’u dalë në ndihmë shokëve të tyre, por kanë nxjerrë edhe armët. Një drejtor i policisë bashkiake dhe një drejtor i inspektoriatit të ndërtimit kanë nxjerrë koburen dhe një person tjetër, që thonë se shquhet ose pikaset si “bodyguard”-i i mercenarit Dogjani, kanë nxjerrë armët për të kërcënuar dy njerëz të pafajshëm, dy punëtorë në punën e tyre dhe në hallin e tyre”, u shpreh Manjani.

Vëllai i 2 prej 5 personave, të shoqëruar në Komisariatin e Kamzës, tregon dinamikën e ngjarjes.

TCH: Cfarë ore e keni marrë këtë telefonatë?

“Telefonatën e kemi marrë në orën 5 pa 20 dhe e kemi marrë me kërcënim se mbas datës 24 do të na e prishin servisin për arsye se jemi kthyer me LSI-në”, u shpreh njëri prej vëllezërve.

TCH: Ku ishin në momentin që Xhelal Mziu ka bërë telefonatën?

“Në atë moment që morëm telefonatën e tij ishim te servisi duke punuar dhe ai mori duke na bërë presion se mbas datës 24 do të na prishte servisin. Këtë punë e ka bërë vetëm sepse jemi kthyer me LSI-në”, tha më tej ai.

TCH: Vëllai juaj është i ndaluar në Komisariat?

“Po, tani është i ndaluar në Komisariat, vëllai dhe dy shokët e tij. I dëmtuar, sepse i kanë nxjerrë armët, i kanë kërcënuar dhe i kanë rrahur. Janë kërcënuar edhe me armë nga “bodyguard”-ët e kryetarit të Bashkisë, Xhelalit, por edhe nga policët e bashkisë”, sqaroi ai.

E kontaktuar nga Top Channel, zëdhënësja e Policisë Tiranë deklaroi se, të pestë personat e ndaluar, dy prej të cilëve inspektorë të Policisë Bashkiane Kamëz, ndodhen në Komisariat, për t’u marrë në pyetje pas një incidenti, të cilin ajo e përshkroi si banal.

Pas ndalimit të këtyre personave, në Komisariatin e Kamzës ka mbërritur edhe Erzen Breçani, zëvendës/drejtor i Policisë Tiranë, i cili, pasi ka komunikuar me drejtuesit lokal të policisë, ka qëndruar për më shumë se 15 minuta jashtë Komisariatit.

Top Channel