Dështimi i elektronikës në Tiranë

22/06/2013 22:50

1400 persona të trajnuar për të punuar si operatorë të sistemit të dështuar për identifikimin elektronik të votuesve në Tiranë, më 23 qeshor, janë lënë në mes të rrugës.

Të punësuar nga kompania “TrenkwalderCivet2000 SHPK”, ata thonë se nuk i është dhënë një kopje kontrate.

Ata kanë fimosur vetëm një kontratë, që është mbajtur nga punëdhënësi, por nuk kanë marrë një të tillë, siç dhe e kërkon ligji.

Pavarësisht këtyre aspekteve, ata tregojnë se çfarë ka ndodhur edhe kur KQZ, më 18 qershor, deklaroi dështimin e projektit të identifikimit elektronik.

“Pavarësisht se ka pasur sinjalizime të qarta se ky proces mund të anulohej, ka vazhduar të bëheshin trajnime. Ka persona që janë trajnuar dhe të mërkurën dhe të enjten. Dje kemi marrë sms dhe telefonata ku thuhej se kjo kontratë shfuqizohej. Nuk pranojmë faktin që të shfuqizohet një kontratë, ku ne kemi nënshkruar, nëpërmjet një sms-je apo telefonate”, u shpreh Olsi Duzha, operator.

Në kontratë thuhet qartë, se ku këta operatorë do të dorëzonin pajisjet, të cilat ata kanë marrë duke firmosur një proces verbal, që ishte KQZ.

“Duhet të kthejmë pajisjet, laptopin dhe pajisje të tjera, jo më në KQZ, sic na ishte thënë më përpara në përfundim të procesit të votimit, por ti kthejmë këto pajisje te Hotel Tirana. Pra ne jemi në mëdyshje se ku duhen kthyer këto pajisje dhe nëse ne ua japim personave të gabuar, a mbajmë përgjegjësi ligjore apo jo. Jemi punësuar në KQZ, që na kanë thënë se ne i kemi ndërprerë kontaktet me kompaninë INDRA, që është spanjolle për më tepër, dhe do t’i drejtoheni vetëm kësaj kompanie e me KQZ nuk keni më punë. Ndërsa në kontratën që ne kemi nënshkruar, thuhet qartësisht se ne këto pajisje do t’i dorëzojmë në KQZ në datën 23, në përfundim të procesit”, shtoi më pas Olsi Duzha.

Një tjetër shqetësim, që këta të rinj ngrenë, është nëse ata do të paguhen sipas kontratës, ku parashikohet shuma e 125 eurove brënda datës 30 qershor.

Top Channel