“LSI dhe Ilir Meta përjashtojnë cdo mundësi koalicioni me një qeveri dhe me një kryeministër, që tentoi të vërë dorë përsëri, pas 23 vjetësh, mbi KQZ-në, mbi të drejtën e shqiptarëve për të votuar në mënyrë të lirë e demokratike”.

Në këtë mënyrë, Ilir Meta i është përgjigjur në distancë Sali Berishës, nga Berati, lidhur me një koalicion të mundshëm paszgjedhor.

Nga qyteti i Beratit, ku LSI zhvilloi dhe mitingun përmbyllës, Meta, në fjalën e tij, u fokusua te programi i punësimit dhe sulmet ndaj Berishës. Duke shprehur bindjen për fitoren, Ilir Meta deklaroi se edhe 72 orë na ndajnë nga festimi i saj.

“Ky qytet ka qenë dhe është i bukur, por sot më duket më i bukur sepse është edhe më i kuq se asnjëherë tjetër. Fitorja është në dorën tonë dhe ne nuk do ta lëshojmë në Tiranë, Shkodër, Berat dhe gjithë Shqipërinë. Edhe 72 orë për të festuar fitoren e merituar që do bëjë që Berati dhe Shqipëria të ecin më shpejt. Ne do të fitojmë sepse Berati meriton një të ardhmen më të mirë sot. Të rinjtë e Beratit e duan të ardhmen europiane në Berat dhe këtë e arrijnë me LSI-në që ka një plan punësimi”, tha Meta.

Kryetari i LSI-së akuzoi kryeministrin Berisha se mashtron me premtimet për ndërtimin e boshtit të jugut.

“Me premtimet e Berishës, Berati duhet të presë edhe 2400 vite të tjera për boshtin e jugut sepse ai as rrugën e vjetër Berat-Lushnje nuk mbuloi as gropat. Ne do të fitojmë sepse boshti i jugut duhet të bëhet tani dhe jo të shtyhet për në kalendat greke. Ne do të fitojmë sepse ky qytet kërkon zhvillim, frymëmarrje”, tha Meta.

Meta premtoi ndërtimin e unazës së qytetit të Beratit në 2 vitet e para të qeverisjes, mbështetje për agro-biznesin dhe për sipërmarrësit beratas që sipas tij edhe pse po kalojnë një periudhë të vështirë, vazhdojnë të mbajnë të punësuar mijëra persona.

Më herët, Meta vizitoi një vizitë në një fabrikë tullash në Maminas ku premtoi dhënien fund të orvatjeve për rimbursimin e TVSH-së.

Top Channel