PS paralajmëron administratën

19/06/2013 00:00

Partia Socialiste akuzoi sot administratën shtetërore se është përfshirë e tëra në fushatë elektorale.

Drejtuesi i kësaj partie për Tiranën, Saimir Tahiri paralajmëroi se ata që vazhdojnë të shkelin ligjin për të shpëtuar Berishën, nesër do të përballen vetë me ligjin dhe nuk do të ketë kush t’i shpëtojë më.

“Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës janë kthyer në reparte militantësh me shefa komisariatësh, oficerë, agjentë dhe inspektorë, që bëjnë nga mitingashët deri tek informatorët dhe deri tek agjitatorët e partisë në pushtet, ndërsa disa drejtues të Policisë së Shtetit kanë kthyer në kamzhik për mbështetësit e PS, apo hajdutë ordinerë që kërcënojnë njerëz për të mbledhur vota dhe aty ku nuk mbledhin dot vota, për të mbledhur karta identiteti. Ju që sot doni t’i dilni për zot Saliut, duke shkelur ligjin, të jeni të bindur se nesër forca e ligjit dhe drejtësia kur të jeni përballë forcës së ligjit dhe të drejtës, Saliu nuk do t’ju dalë dot për Zot. Ne jemi të vendosur të mos lejojmë të deformohet qoftë edhe një votë e vetme”, tha Tahiri.

Top Channel