Obama-Merkel diskutojnë për “Prizmin”

19/06/2013 17:10

Kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi mëngjesin e së mërkurës një takim kokë më kokë me presidentin amerikan Barack Obama, duke shprehur një qëndrim kritik ndaj programit amerikan të përgjimeve, të njohur si Prizmi.

Merkel kritikoi programet amerikane të mbikëqyrjes së internetit dhe telekomunikacioneve duke thënë: “Ne shohim nevojën për të mbledhur informacione, por nga ana tjetër është nevoja për kujdes dhe përpjestim”.

“Interneti u mundëson armiqve të lirisë dhe rendit që të abuzojnë dhe të dërgojnë kërcënime për të gjithë ne, por duhet një balancë e barabartë”, deklaroi Merkel.

Nga ana e tij, zoti Obama tha se monitorimi u aplikua brenda limiteve dhe se kishte të bënte me çështje të sigurisë kombëtare, duke saktësuar se programet kishin konstatuar 50 kërcënime potenciale dhe shpëtuar shumë jetë.

“Nuk është një situatë ku ne thjesht hyjmë në internet dhe fillojmë të bëjmë kërkimet që duam”, sqaroi Obama në një konferencë shtypi në Berlin.

Ndërsa përsa i përket konfliktit sirian, ai tha se SHBA është e sigurtë se regjimi sirian ka përdorur armë kimike gjatë konfliktit që zgjat prej 26 muajsh, por refuzoi të saktësonte se çfarë ndihmash do t’u sigurohen rebelëve.

“Nuk mund dhe nuk do të bëj komente për detajet e programeve tona në lidhje me opozitën siriane”, tha Obama, duke theksuar mbështetjen e tij për tranzicionin politik.

Top Channel