Incidentet në Kukës, LSI akuza Nokës

19/06/2013 20:10

LSI denoncoi atë që e quan vijimin e presioneve dhe akteve të dhunës ndaj kandiatëve dhe mbështetësve të saj në qarkun e Kukësit.

Sekretari Ralf Gjoni deklaroi se të tilla ngjarje zhvillohen me bekimin e misnitrit të Brendshëm, Flamur Noka, që sipas LSI-së po kthehet nga ministër në shkatërrues të zgjedhjeve.

“Para tre ditësh, pra në datë 16 qershor, kreut të LSI në fshatin Çrnalevë, zotit Eshref Islami, i është bërë kontroll dhe bastisje në shtëpi nga efektivë të Policisë së Shtetit pa patur mandat. Më pas zoti Islami është shoqëruar në komisariat ku është mbajtur për rreth 4 orë.

Sot në mëngjes, ndërsa ministri i Brendshëm dhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike Flamur Noka vijonte takimet e tij elektorale, është telefonuar kryetari i LSI-së dhe këshilltar në komunën Topojan, zoti Rrustem Ahmeti dhe i është kërkuar të paraqitet në Drejtorinë e Policisë pa asnjë lloj arsyeje.

Po sot, është ushtruar terror mbi kandidatin për deputet të LSI në Has, zotit Pëllumb Bardhoshi, si dhe mbi të afërmit e tij. Forcat speciale dhe efektivë të Policisë së Shtetit kanë zbarkuar në mënyrë të dhunshme në lagjen Bardhosh të fshatit Qarr, në rrethin e Krumës, duke hyrë në shtëpitë e anëtarëve dhe mbështetësve të LSI-së, të të afërmve të kandidatit, dukë bërë bastisje dhe kontrolle të pamandatuara.

Ndërkohë, sot në mengjes është shoqëruar edhe shoferi i zotit Bardhoshi në komisariatin e Hasit, pas ndërhyrjes së rreth 30 efektivëve të policisë dhe të forcave speciale”, deklaroi Gjoni.

Pas kësaj deklarate të LSI-së ka reaguar ministri Noka, i cili thotë se: “LSI duhet ta dijë që marrja e votave me blerje dhe devijimi korruptiv i vullnetit të qytetarëve do ngelet një ëndërr e prishur, pasi kuksianët, hasjanët dhe tropojanët nuk i kanë blerë dhe nënshtruar as hordhitë serbe e as diktatura, e jo kandidat trafikant i LSI-së”.

Top Channel