DASH, shuplakë për trafikimin

19/06/2013 23:50

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, paraqiti raportin vjetor të trafikimit të qenieve njerëzore për 2013-n, gjatë një ceremonie në Departamentin amerikan të Shtetit.

Dokumenti shqyrton situatën e 188 shteteve dhe territoreve dhe bën një vlerësim të punës së qeverive, në përpjekjet për të luftuar fenomenin shqetësues. Por, pas një kohe relativisht të gjatë renditjeje në grupin e dytë, Shqipëria është zhvendosur në “ëatch list”, apo listën e atyre shteteve që po mbahen në vëzhgim.

Një gjë e tillë ndodh me vendet, qeveritë e të cilave nuk përmbushin plotësisht standardet minimale të eliminimit të trafikimit, por po bëjnë përpjekje për t’iu afruar standardeve në fjalë.

Në këto vende vihet re se:

– Numri i viktimave të formave të rënda të trafikimit është i lartë ose është duke pësuar rritje të ndjeshme.

– Autoritetet kanë dështuar të ofrojnë prova për shtimin e përpjekjeve të luftës ndaj këtij fenomeni, krahasuar me vitin e mëparshëm, përfshirë këtu rritjen e nivelit të hetimeve, ndjekjes penale dhe dënimit të trafikantëve, shtimin e asistencës për viktimat dhe dëshmitë për tkurrjen e bashkëpunimit të zyrtarëve qeveritarë në trafiqe.

Edhe në raportin e sivjetshëm, Shqipëria vazhdon të paraqitet si vend burimi për burra, gra dhe fëmijë, të cilët i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar.

Viktimat shqiptarë i nënshtrohen trafikimit për qëllime shfrytëzimi seksual brenda Shqipërisë si dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Hollandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Shumë gra janë viktimë e trafikimit, pasi pranojnë oferta punësimi si kamariere, bariste, kërcimtare ose këngëtare në vendet fqinje, veçanërisht në Kosovë, Greqi dhe Maqedoni. Fëmijët shqiptarë detyrohen të lypin, si dhe për forma të tjera pune të detyruar. Disa vajza shqiptare bëhen objekt i trafikimit, me qëllim shfrytëzimi seksual, apo punë të detyruar, pas martesave me mblesëri.

Pavarësisht përpjekjeve të saj, qeveria shqiptare – thuhet në raport – nuk mundi të paraqiste prova për shtimin e përpjekjeve në shqyrtimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Si rrjedhojë, vendi kalohet në “Listën e Vëzhgimit” të grupit 2.

Qeveria ka financuar në masa modeste strehat e OJQ-ve, të cilat ofronin shërbime për viktimat e trafikimit dhe raportohet se gjyqtarët kanë përdorur qasje me orientim ndaj viktimave gjatë proceseve gjyqësore.

Dokumenti thekson faktin, që qeveria hoqi koordinatorin kombëtar kundër trafikimit, i cili ishte shumë efikas në bashkëpunimin me OJQ-të për të zhvilluar mekanizmin kombëtar të referimit e procedurat standarde të veprimit, dhe e la këtë pozicion bosh për pesë muaj.

Kjo bëri që zyra e koordinatorit kombëtar të mos kishte autoritetin të organizonte takime ndërmjet agjencive.

Disa ministri nuk caktuan përfaqësues për të marrë pjesë në MKR dhe mungesa e koordinimit pengoi zbatimin e ligjit kundër trafikimit. Ndihma për fëmijët, viktima të trafikimit, nuk ishte e qëndrueshme.

Në dokument jepen disa rekomandime për Shqipërinë, ndër të cilat, më kryesoret janë: të ulë shkallën e lartë të qarkullimit mes zyrtarëve të qeverisë, veçanërisht brenda forcave lokale të policisë, për të ruajtur kapacitetin e përftuar nga zyrtarë me trajnim të veçantë për shqyrtimin e trafikimit të qenieve njerëzore; të shpërndajë të ardhura për zyrën e koordinatorit kombëtar kundër trafikimit, në mënyrë që të ulë varësinë e tij ndaj donatorëve të huaj, dhe të shtojë përpjekjet për parandalim; të trajnojë rregullisht policë dhe zyrtarë në nivel lokal për procedurat standarde të veprimit, me qëllim rritjen e numrit të viktimave të identifikuara.

Vendosja në listën e vëzhgimit e afron Shqipërinë me grupin e tretë, ku ulja në klasifikim bart në vetvete edhe mundësinë e disa sanksioneve, përmes të cilave qeveria amerikane ka gjasa të ndalojë apo pezullojë ndihmën jo-humanitare dhe jo të lidhur me tregtinë.

Përpos kësaj, vendet e grupit 3 rrezikojnë të mos marrin financim për pjesëmarrjen e punonjësve qeveritarë në programe të shkëmbimeve kulturore e arsimore. Nga ana tjetër, qeveritë në fjalë mund të përballen me kundërshtimin e Amerikës ndaj asistencës nga institucione financiare ndërkombëtare, si FMN-ja apo Banka Botërore.

Top Channel