Në Kamëz, e cila konsiderohet një prej bastioneve të PD, Edi Rama dhe kandidatët socialistë të Tiranës firmosën zotimin e bërë para shqiptarëve, për të zgjidhur cështjen e legalizimeve.

“Ju ftoj të zotoheni për të mbajtur këto premtime, se kamzalinjtë kanë nevojë më shumë se kushdo: Legalizimi i shtëpive në zonat informale do bëhet falas. Procesi i legalizimit të shtëpive në zonat informale do të mbyllet brenda mandatit të parë qeverisës. Edi Rama si kryeministër do të jetë përgjegjës për ecurinë e procesit të legalizimeve. Ju ftoj në emër të popullit të Kamzës të nënshkruani zotimet”, u shpreh Pjerin Ndreu.

“Unë dëshiroj që ky zotim, i firmosur prej meje, të vendoset diku këtu, në sytë e të gjithëve dhe vlerësimin tuaj ta jepni pas katër vjetësh, mbi bazën e këtij zotimi. Unë iu zotohem solemnisht, se qeveria jonë e Rilindjes dhe unë personalisht do të angazhohemi me mish e me shpirt, që brenda mandatit të parë të gjitha shtëpitë në zonat informale të jenë kthyer në pasuri të patundshme, të hipotekuara. Në katër vite, ne do të bëjmë atë, që katragjyshi nuk e bëri dot për një çerek shekulli”, deklaroi Rama.

Rama: Do hapim kapitullin e ri
Mitingu i Durrësit: Pushtetin familjar të Berishës e ka marrë lumi

Më pas në Durrës, në një miting përmbyllës, që Rama e cilësoi të zjarrtë, ai tha se ky është treguesi, që pushtetin familjar të Berishës e ka marrë lumi. Kreu i PS deklaroi se në 8 vite Shqipëria është qeverisur nga një njeri, i cili nuk ka haberin se ku jetojnë, cfarë heqin dhe si e shtrojnë tavolinën e bukës shqiptarët e zhytur në borxhe. Por jo vetëm kaq.

“Po sot, pse nuk ua tregon duart, ku i ka duart, pse i fsheh duart e nuk i nxjerr? Sepse ai e di mirë, që tanimë të gjitha vijat e atyre duarve janë të shënuara nga tragjeditë, dramat, mëkatet, fajet e dështimet e këtyre tetë viteve. Në ato duar rrjedh gjaku i pafajshëm i viktimave të Gërdecit dhe dëshmorëve të 21 janarit, në ato duar kullon zullumi i korrupsionit me pasuritë kombëtare e pronën e shqiptarëve. Në ato duar lulëzojnë gënjeshtrat, shpifjet, dështimet për premtimet e pambajtura dhe talljet e pafundme me këtë popull. Pastaj erdhi 2009 dhe në 2009 u thoshte, tani keni filluar të mos më besoni, por më besoni se bota më beson. U tregonte fotografi, ku i takonte dhe i takonte, filmime që i takonte dhe e takonin, po tani ku i ka? Kush e takon? Ku është bota? Kush e beson?
Jo vetëm që askush s’e beson, por askush nuk dënjon më t’i japë dorën, se atë dorë se prek më bota, se është dora e një pushteti, që për tetë vjet me radhë rrënoi Shqipërinë. Bota pret ndryshimin, pret largimin e atij pushteti dhe rrjedhjen e një dite të re, me një qeveri të re, për një Rilindje shqiptare”, u shpreh Rama.

Rama tha se, në 23 qershor, duke votuar Partinë Socialiste, shqiptaret do të hapin një kapitull të ri, që quhet Rilindje.

“Fermerët e Durrësit do të çlirohen nga barra e padurueshme e kostove të prodhimit. Me një votë te numri 29 do të ulim 35% çmimin e naftës, do të zerojmë taksat për plehrat, fidanët e makineritë bujqësore dhe do të firmosim programin e madh të ujit në parcelë, që brenda katër vitesh të mos ketë më një metër tokë bujqësore, që të vuajë për ujë, dhe të mos ketë më asnjë kilogram prodhim, që të përmbytet nga uji. Një Durrës i ri do të jetë pas katër vitesh, kur ne do kemi përfunduar procesin e legalizimeve falas, për të gjitha ato familje. Familjet e vjetra të Durrësit dhe familjet e reja të Durrësit të ri duhet ta bashkojnë votën e tyre. Për Durrësin, ku romakët ndërtuan amfiteatrin më të madh jashtë Vlorës, dhe ku ne, socialistët, do të ngremë kantierin më të madh të transformimit të këtyre 20 vjetëve”, përfundoi Rama.

***

Më pas Rama sulmoi kryeministrin Berisha, të cilin e krahasoi me ish-kreun e PS-së, Fatos Nano. “Berishën e ka kapur sindromi i Fatos Nanos. Ka ca ditë që thotë unë jam Sali Berisha. Unë jam ai që bëri Tiranën dhe zotohem se do të bëj edhe Kamzën si Tirana. Skuadra e Tiranës, ka një kapiten dhe një garant të Shqipërisë, që është një në jug e në veri, Pandeli Majko dhe të jeni 100 përqind të sigurtë që ky njeri, që e ktheu Shqipërinë në shtëpi për 500 mijë njerëz të përzënë nga Milloshevici, nuk do të lejojë që pas 23 qershorit, ju të mos keni legalizimet”, tha Rama.

Top Channel