Berisha mbyll fushatën në veri

18/06/2013 23:35

Me një lapsus të pakorrigjuar më pas, kreu demokrat Sali Berisha, nga qyteti i Pukës, i ka bërë thirrje të rinjve, që të votojnë jo numrin 44, por 24, dhe pikërisht partinë e Reformave Demokratike të Shqipërisë, pjesë e koalicionit të majtë.

“Ftoj të rinjtë e Pukës të votojnë 24-n, të votojnë fitoren”, tha Berisha.

Duke renditur arsyet, se pse shqiptarët më 23 qershor duhet të votojnë Partinë Demokratike, kreu demokrat deklaroi se për shqiptarët jetik është integrimi europian, ndërsa Rama nuk arrin dot as ta shqiptojë këtë fjalë.

“Se për shqiptarët, jetike e përcaktuese për një të ardhme të ndritur është integrimi në Bashkimin Europian. Shoku i autobusit mavi nuk e shqipëron dot këtë. Përkundrazi, u tha shqiptarëve se BE nuk është as bukë as ujë. Shok i mavijosur, BE është jeta, është e ardhmja e ndritur më e shkëlqyer e fëmijëve, burrave, grave shqiptare, por t’i nuk e përmend dot, se shkelmove të ardhmen mbi këtë të ardhme”, tha Berisha.

Nga qyteti i Shkodrës, ndalesa e radhës, Berisha deklaroi se fitorja e Partisë Demokratike është drita e shqiptarëve në rrugën e integrimit. Ndërsa ka ironizuar Ramën, lidhur me deklaratat se kërkon ta nxjerrë atë në pension.

“Ka kërkuar 30 herë të nxjerrë në pension Sali Berishën, që cdo ditë bën 300 minuta punë më shumë se ai”, tha Bërisha.

E në fund të ditës, Berisha u ndal në Lezhë për të zhvilluar mitingun e pestë përmbyllës, brenda së martës. Nga ky qytet, kreu demokrat i ftoi të gjithë shqiptarët, që më datë 21 qershor të mblidhen në Tiranë, për të nisur festimet për fitoren madhështore të 23 qershorit.

“5 ditë na ndajnë nga dita e madhe e historisë. Fitorja është në dorën tuaj, në zemrat tuaja. Ndaj dhe ta bëjmë natën ditë, cdo orë, cdo minutë të punojmë për të këto ditë. Të bashkohemi të gjithë e të votojmë për projektin tonë”, përfundoi Berisha.

Top Channel