“Ora e madhe e rilindjes po vjen”

17/06/2013 00:00

Pavarësisht temperaturave që shënonin 35 gradë, mijëra qytetarë të Librazhdit mbushën sheshin e këtij qyteti në një miting elektoral të PS.

Prezencën dhe entuziazmin e krijuar, Edi Rama e quajti si të jashtëzakonshme, e cila dëshmon sikurse edhe në Elbasan, dëshirën siç theksoi ai, të refuzimit të tuneleve elektorale.

“Ndihem shumëfish krenar që këto sheshe nuk i mbush diktati, këto sheshe nuk i mbush agjencia e autobusave që transportojnë lart e poshtë robër, këto sheshe i mbush ëndrra për Rilindje. Do ta rilindim Librazhdin, do ta rilindim fshatin rreth e rrotull, do të sjellim ujin në çdo shtëpi dhe në çdo parcelë, do të ulim koston e prodhimit, do të ulim cmimet e ushqimeve që sot familjet e zakonshme këtu dridhen kur shkojnë në pazar dhe i shohin këto cmime të papërballueshme. Do të lehtësojmë bizneset e vogla dhe do heqim takën e biznesit të vogël, do të përgjysmojmë tatimin e fitimit, do të bëjmë legalizimet e shtëpive pa leje, do të japim certifikatën e tokës për familjet në fshat dhe do të shkojmë përpara së bashku, jo në rrugën që ofron Saliu, sepse përpara me Saliun do të thotë mbrapa, drejt rrënimit”, tha Rama. 

Këto ishin mesazhet që dhanë kandidatët e qarkut Elbasan, Ben Blushi dhe Taulant Balla. “Votoni numrin 29 për një Shqipëri pa Sali Berishën, pa Arben Imamin, pa Eduart Selamin, që i ulën kokën Librazhdit, Përrenjasit, Elbasanit e gjithë Shqipërisë”, tha Blushi.

“Krenohemi me Librazhdin. Do krijojmë 4 mijë vende pune, do kthejmë spitalin e Librazhdit në spital rajonal. Kemi shumë punë për të bërë”, tha Balla. 

Top Channel