“Finalja e Madhe” e fushatës

17/06/2013 00:00

Partia Socialiste është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për
mbylljen e fushatës elektorale, e cila do të kulmojë të premten me dy
mitingje paralele në dy qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Në planin strategjik të fushatës së socialistëve mësohet se kjo do të jetë një mbyllje surprizë që thyen traditen e mbylljes së fushatës elektorale në kryeqytet. Ajo që grupi i menaxhimit strategjik të fushatës e ka pagëzuar si ‘Gran Finale’ do të zhvillohet të premten në mbrëmje njekohesisht ne Shkodër e në Vlorë. Një miting në dy sheshe. Organizatorët nuk pranojne të zbulojne detaje, por burime në PS i thanë Top Channel,  se degët e Shkodrës e të Vlores kanë njoftuar sipas ligjit zënien e të dy shesheve kryesore të kryeqendrave të veriut e të jugut. Cka nuk është e veshtirë të kuptohet nga skenari i asaj që në dosjen e fushatës së socialistëve është shënuar me emrin ‘Gran Finale’, PS po synon ta mbyllë rrugën e saj drejt 23 Qershorit me gjetje skenike që jep mesazhin e fortë  të bashkimi kombëtar si edhe transmeton ambicien e socialisteve për të qeverisur duke fuqizuar idenë e bashkimit të të gjithëve për Rilindjen.

Mbetet mister se në cilin prej dy mitingjeve do të  shfaqet lideri socialist Edi Rama, ndërkohë që figurat kryesore të socialisteve do të ndahen mes Shkodres e Vlores, ku do t’i shohim të japin mesazhet e fundit. Ndërsa takimi i madh i Tiranës do të zhvillohet të enjten në mbrëmje në sheshin ‘Nënë Tereza’, në formën e një preludi të ‘Gran Finales’ në Shkodër dhe Vlorë.

Sakaq mësohet se demokratët do t’i qëndrojnë besnik mbylljes së fushatës së tyre elektorale në kryeqytet me mitingun e të premtes ora 20:00 në sheshin “Nënë Tereza”, i cili do të nis me një koncert. LSI, nuk do të ketë një miting përmbyllës, por deri të premten kreu LSI-së Meta do të jetë në çdo qytet të Shqipërisë duke i konsideruar këto mitingje si mbylljen e fushatës të kësaj force politike.

Top Channel