Berisha, modeli që duhet larguar

16/06/2013 00:00

Ilir Yzeiri – Edhe Fatos Nano, diku nga fundi i karrierës së tij politike aktive, pat deklaruar se unë jam historia.

Berisha këto ditë deklaroi se unë jam modeli që duhet të ndjekin shqiptarët. Jetoj në një apartament 120 m² dhe jam martuar vetëm një herë, ndërsa kundërshtari im i ndërron gratë. Që në fillim, ai e ndërton rrëfimin e tij mbi një gënjeshtër. Po le të vijojmë më tej. Në literaturën për komunikimin, studimi nis nga vështrimi i marrëdhënieve njerëzore dhe studiuesit analizojnë stadet e saj duke vështruar jetën e fëmijës që nga lindja e deri vonë. Duke studiuar dukuritë që karakterizojnë fëmijën në lindje, studiuesit hamendësojnë gjithashtu edhe për fëmijërinë e shoqërisë njerëzore. Një nga këto procese është ai i pjesëmarrjes dhe dallimit dhe projektim-identifikimit. Sapo lind, fëmija jeton në një botë parimi i së cilës është vetëm kënaqësia dhe nuk e dallon veten as nga të tjerët as nga bota. Kjo është ajo që quhet edhe faza e narcizizmit fillestar. Me kohë, me anë të mimetizmit afektiv siç thoshte Vallon, ai fillon të identifikohet me njerëzit e afërt, me nënën kryesisht, pastaj me familjen, me fisin, grupin, etninë, kombin. Në anën tjetër, ai zbulon edhe praninë e tjetrit dhe të botës dhe bindet se që të realizojë jetën duhet të llogarisë që në këtë botë jeton bashkë me të tjerët, me të cilët është i dënuar të komunikojë. Mirëpo problemet e identifikimit dhe projektimit lindin dukuri të tjera. Kështu, krahas identifikimit, lind edhe uni që nxit egon fillestare, pastaj egon e grupit e më pas lloj–lloj egocentrizmash që shkojnë nga mospranimi i tjetrit që është i ndryshëm në gjuhë, në racë e në ngjyrë deri në margjinalizimin e tij. Mjaft të kujtojmë luftën në Kosovë dhe do të bindemi se etnocentrizmi sllav kishte zgjedhur eliminimin e tjetrit që ishte i ndryshëm prej tyre, siç ishin boshnjakët, kroatët, shqiptarët. Mirëpo e bëmë këtë panoramë të gjatë për të shpjeguar më mirë procesin e identifikimit, të njohjes. Është në natyrën e njeriut që ai të identifikohet me dikë. Sot, në shoqëritë moderne dhe postmoderne starët e muzikës, të kinemasë dhe të sportit janë modele që joshin të rinjtë sidomos, të cilët jo vetëm që identifikohen me ta, por i bëjnë shpesh ata edhe objekte identifikimi. Por semioticienët kanë vënë në dukje edhe një dukuri tjetër që lidhet me sociocentrizmin. Në çdo marrëdhënie njerëzore, përpjekja që bëhet është lufta për të zënë qendrën, në mënyrë që të tjerët të identifikohen me ty. Në fillim, pra para se të lindte industria e imazhit, ata identifikoheshin me pjesëtarët e familjes, pastaj në Mesjetë shenjtorët dhe portretet e fisnikëve shërbenin për këtë qëllim. Krahas këtyre modeleve, shoqëritë njerëzore përpunojnë edhe imazhet kulturore apo historike dhe i paraqesin si modele ose si arketipa që duhet të frymëzojnë shoqërinë korrente. Komunizmi, por edhe ideologji të tjera fundamentaliste i kushtojnë shumë vëmendje identifikimit me modelet që zgjedhin. Në komunikimin politik, identifikimi me liderin, me shefin e partisë apo me Zotin është një lloj mbështjelljeje me siguri, shmang frikërat dhe dobësitë dhe i jep siguri individit. Shoqëritë perëndimore dallohen se modelet i kanë të lëvizshme dhe jo të ngurta. Shoqëri të prapambetura si e jona janë ende në kaos dhe secili nga protagonistët afrohet si model për t’u ndjekur. Rasti i Berishës që e shpall veten model është për t’u analizuar në disa rrafshe. Në një pikëpamje ai është model, por model i keq shoqëror, model i vrasësit për pushtet. Gjatë karrierës së tij politike ai, ashtu si Zogu, përdori pushkën dhe plumbin për të vrarë kundërshtarët politikë. Nga pikëpamja psikologjike ai shfaq tiparet më të ulëta të shqiptarit. Gojështhurur, i paformuar, ai futi në ligjërimin politik të tranzicionit gjithë llumin e sharjeve individuale dhe ngriti në kult gënjeshtrën. Meqenëse ka një formim të thukët komunist, ai është produkti më i spikatur i propagandës. Kur flet, ai vizaton një botë irreale. Modeli i tij është vijim i modelit të nëpunësit turkoshak, që kishte si parim vidh shtetin që të shëndoshësh veten. Një tjetër karakteristikë e modelit të tij është edhe ngritja në kult e narcizizmit të fisit. Për të, fëmijët, familja, fisi janë mbi gjithçka. Ata kanë të drejtë të pasurohen dhe të përfitojnë nga pushteti i babait dhe ata, ashtu si babai i tyre, e quajnë rast të artë që kanë në dorë çelësin e hambarit të shtetit. Ndaj, bashkë me besnikët e sejmenët e tyre, ata kanë të drejtë ta plaçkisin këtë vend. Modeli i Sali Berishës është modeli i njeriut të prapambetur e komunist që nuk e pranon tjetrin, që nuk e respekton institucionin e votës së lirë. Ai do të mbahet mend gjatë si njeriu që futi në vetëdijen kolektive idenë e vjedhjes së votës ose dinamitin në godinën e demokracisë. Nga pikëpamja individuale ai ka cilësitë më të këqija të shqiptarit. Është i pabesë, gënjeshtar e mashtrues. Nuk ka miq, ka vetëm servilë ose llapaqen, që vjedhin me të dhe lehin për të. Për të gjitha këto arsye ai është modeli më i shëmtuar që ka nxjerrë ndonjëherë ky vend. Ndaj këtë radhë ky model duhet ndërruar.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel