Stresi mund të dëmtojë në mënyrë të parikuperueshme aftësitë riprodhuese të mashkullit dhe mund të ketë pasoja edhe tek fëmijët e ardhshëm, bënë të ditur kërkues të Universitetit Mjekësor të Pensilvanisë.

Nga studimet e hollësishme, mjekët arritën të zbulonin se ankthi, depresioni dhe stresi për një mashkull, pavarësisht moshës në të cilën përjetohet, mund të sjellë një reduktim drastik të numrit të spermatozoidëve dhe në disa raste, edhe të bëjë të pamundur lënien e pasardhësve.

Risia e studimit ishte se dëmtimi mund të ndodhë në të gjitha moshat, edhe kur mashkulli është ende në adoleshencë apo fëmijëri.

Kërkuesit amerikanë krahasuan të dhënat e njohura mbi pjellorinë mashkullore, me një eksperiment të kryer në kavie, të moshave të ndryshme, që për gjashtë javë u vendosën në kushtet e një stresi konstant nëpërmjet zhurmës, erës dhe spostimit nga një kafaz në tjetrin.

Të vendosur në kushte stresi, kaviet treguan një reduktim të ndjeshëm të aftësive të tyre riprodhuese, rezultate që përputhen me statistikat mjekësore mbi problemet e shëndetit seksual.

Si rrjedhojë e stresit, ankthit apo depresionit, në trupin njerëzor prodhohet hormoni i kortizolit, i cili në studimet e fundit lidhet gjithmonë e më shumë me reduktimin e shanseve të pjellorisë.

Top Channel