Reduktohen interesat bankare

12/06/2013 00:00

Të kursesh para tani nuk është më fitimprurëse si më parë. Të dhënat zyrtare tregojnë se interesat kanë rënë për të gjitha llogaritë e kursimeve. Në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë, çmimi i bonove 1-vjecare, instrumenta përmes të cilëve qytetarët i kanalizojnë kursimet e tyre në kredi për qeverinë, ranë në 5.59 përqind.  

Ky është niveli më i ulët i të gjitha kohërave dhe krahasuar me vitin e kaluar, të kursesh në bono thesari sot fiton 25 përqind më pak. Interesat kanë rënë edhe për llojet e tjera të kursimeve. Sipas Bankës së Shqipërisë për depozitat 1-vjecare në lekë që qytetarët vendosin në banka, interesi është ulur nga 5.6 për qind në prillin e vitit të kaluar në 5 përqind aktualisht.

Rënia e interesave të depozitave nuk është e rastësishme, por u nxit nga Banka e Shqipërisë. Vitin e kaluar ajo e uli normën bazë në minimumin historik 3.75 përqind, me qëllim që të dekurajonte qytetarët të kursenin dhe t’i orientonte ata drejt konsumit. Por shifrat tregojnë se kjo nuk ka ndodhur.

“Kjo është një situatë tipike e ndikimit të pasigurisë në vendimet e agjentëve ekonomikë, qoftë konsumatorë, qoftë biznesi. Në një rast të tillë, pasiguria nuk vepron në kompletimin e lirisive ekonomike, që rënia e parasë të shoqërohet detyrimisht në rritje të kërkesës agregate qoftë në rritjen e konsumit apo investimeve”, thotë specialisti i ekonomisë, Selami Xhepa.

Por pse konsumatorët dhe biznesi janë të trembur duke preferuar që edhe me këto interesa të ulëta të vazhdojnë të kursejnë pa e rritur konsumin dhe investimet?

“Pasiguria ka dy elementë kryesorë, së pari prej një kohe të gjatë kemi patur një krizë ekonomike, dhe në situata të krizës ekonomike dhe të recesionit të madh që po kalon ekonomia globale, sigurisht që pasiguritë shtohen. Së dyti në rastin tonë, kemi edhe situatën zgjedhore, një realitet politik jo stabël për shkak të zgjedhjeve dhe pasiguritë shtohen. Të dyja veprojnë me intensitet, herë njëra dhe herë tjetra”, shton Xhepa.

Politikat ekonomike kanë rënë në kurthin e së pamundurës. Banka e shqipërisë është e pafuqishme të nxisë ekonominë dhe nga ana tjetër as qeveria nuk mund të ndërhyjë për të rritur kërkesën, pasi rrezikohet nga borxhi i lartë. Në këto kushte ekspertët thonë se duhen të tjera ndërhyrje.

“Në vecanti reforma strukturore në sistemin bankar, që do të presupozonte një pastrim të gjendjes së bilanceve financiare të bankave, një rishikim i rregullave të menaxhimit të riskut nga vetë sistemi bankar, që janë një pjesë e rëndësishme e reformës strukturore që do të vijojë me rritjen e efikastitet të politikës monetare. Së fundmi mund të shikohet edhe përdorimi i elementëve të tjerë sasiorë, një mbështetje më e fuqishme e Bankës Qendrore ndaj sistemit bankar në mënyrë që të parandalohet rënia e ekonomisë në recesion”, thotë Xhepa.

Vitin e kaluar tkurrja e konsumit dhe kredisë e uli rritjen ekonomike në nivelin më të ulët që nga 1997. Parashikimet janë që edhe këtë vit ekonomia të jetë anemike, me rritje poshtë nivelit 2 përqind.

Top Channel