Një breshër i pazakontë ka shkatuar dëme të konsiderueshme në të mbjella, në shumë fshatra të qarkut të Korçës.

Sipërfaqe të tëra, të kultivuara me produkte nga më të ndryshmet, kanë pësuar dëmtime duke bërë që shumë familje, brenda pak minutash, të humbasin gjithçka që do të merrnin nga puna e tyre e një viti.

Në fshatin Dobranj të rrethit të Devollit, breshëri ka kaluar në mbi 10 cm trashësi.

Fermërët tregojnë se, prej vitesh, nuk kishin parë një breshër me përmasa të tilla, ndërsa kanë pohuar se kulturat e tyre bujqësore u shkatërruan të gjitha dhe po kështu dhe pemët frutorë, ndërsa kanë apeluar për ndihmë, pasi të vetmet të ardhura të tyre ishin mbështetur te bujqësia.

Sipas të dhënave të para, qindra familje në qarkun e Korçës do të përballen me probleme të mëdha, pas dëmtimeve të kulturave të tyre bujqësore nga breshëri.

Aktualisht komuna Miras në Devoll ka ngritur grupe pune në terren për verifikimin e dëmeve. Kjo pritet të ndikojë edhe në blegtori, pasi shumë prej kulturave, që përdoren si ushqim për bagëtinë, janë dëmtuar gjithashtu.

Top Channel