Punësimi i të rinjve

08/06/2013 00:00

Në prill të këtij viti, në morinë e ndryshimeve fiskale parazgjedhore, qeveria miratoi edhe një vendim që synon të nxisë punësimin e të rinjve nga 16 deri në 30 vjeç.

Sipas vendimit, bizneset private që do të punësojnë individë të kësaj moshe nuk do të paguajnë kontributet për sigurimet për tre vitet e para.

Masa prej 15 për qind e sigurimeve do t’i kompesohet institutit të sigurimeve nga fondet e qeverisë përmes buxhetit.

Vendimi i botuar në fletoren zyrtare ka hyrë në fuqi në datën 9 maj, por vetëm në letër. Qeveria nuk ka para ta zbatojë atë.

Burime nga Ministria e Punës thanë për Top Channel se për sa kohë nuk ka fonde, ato nuk mund të miratojnë asnjë kërkesë nga bizneset që duan të përfitojnë dhe skema nuk mund të zbatohet.

Të rinjtë janë shtresa më e goditur nga papunësia. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, norma e papunësisë për moshat nga 15 deri në 29 vjeç është 2 herë më e lartë nga mesatarja kombëtare, një problem zgjidhja e të cilit kërkon më shumë se një vendim elektoral.

Në buxhetin e 2013-ës, për nxitjen e punësimit të të rinjve nuk ka asnjë fond. Sipas specialistëve, ka dy mundësi që skema të nisë të zbatohet brenda këtij viti. Së pari, një rishpërndarje e fondeve buxhetore, ose mundësia e dytë është ajo e gjetjes së donacioneve nga jashtë.

Në të kundërt, vendimi do të mbesë i miratuar në letër, por bizneset s’do mund të përfitojnë të paktën deri vitin tjetër, edhe atëherë nëse qeveria që do dalë pas zgjedhjeve do përcaktojë fondet përkatëse në buxhet.

Top Channel