ODIHR: Qeveria, shirita elektoralë

07/06/2013 00:00

Misioni OSBE/ODIHR-it, i kryesuar nga Conny McCormack publikoi raportin e ndërmjetëm ku analizohen disa aspekte zgjedhore të deritanishme për zgjedhjet e 23 qershorit.

Ky raport që në fillim ndalet në problematikën që lidhet me organin më të lartë zgjedhor në Shqipëri, KQZ-në, për të cilën thuhet se aktualisht është duke funksionuar me 4 anëtarë, gjë që pengon aftësitë për të administruar procesin sic e kërkon ligji.

Kolegji Zgjedhor deri më tani ka gjykuar 11 ankesa kundra vendimeve të KQZ-së pasi kjo e fundit ka dështuar të marrë vendim. Raporti konstaton se ndërsa përgatitjet për zgjedhjet vijojnë janë vërejtur vonesa në disa afate ligjore të moszbatuara në kohë.

KQZ mban mbledhje publike por vendimet nuk publikohen menjëherë dhe kjo sjell mungesën e transparencës. Disa prej vendimeve të marra janë kritikuar pasi mungon motivimi bazuar në ligj.

Raporti vëren se fushata zgjedhore në përgjithësi është e qetë, por thekson se vëzhguesit e OSBE-ODIHR kanë vërejtur se disa aktivitete të qeverisë janë përdorur për qëllime elektorale.

“Përurimi i  rrugëve të reja  apo projekteve në infrastrukturë, thekson raporti ODIHR, janë shoqëruar me flamuj të PD që mbajnë sloganin e saj elektoral.

“Në faqen zyrtare të kryeministrit në internet publikohen aktivitete elektorale ku ai ka marrë pjesë. Më 13 maj kryeministri publikoi një urdhër ku thuhet se zyrtarëve të lartë u ndalohet të përdorin fonde publike për qëllime elektorale”, thekson raporti.

Po për këtë cështje në vijim të raportit thuhet se opozita ka ngritur pretendimin se punonjësve  të sektorit publik i është kërkuar të marrin pjesë në mitingje elektorale në mbështetje të partisë në pushtet.

Një tjetër pretendim lidhet me mbështetësit e tyre të cilët kanë përfaqësuar opozitën në Komisionet Zgjedhore në zgjedhjet e shkuara dhe se ata, ose anëtarë të familjeve të tyre janë hequr nga puna në shtet, kjo për qëllime politike.

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR takuan disa prej ish të punësuarve të cilët i konfirmuan këto pretendime.

Pavarësisht se e ndalon ligji spote publicitare, thuhet në raport, të paguara nga institucionet publike janë transmetuar në televizionet private dhe atë publik.

Top Channel