Presidenti amerikan Barack Obama ka mbrojtur programet e qeverisë së tij për mbikëqyrjen e telefonave dhe internetit, duke thënë si po kontrollohen nga afër nga Kongresi dhe gjykatat.
Zoti Obama deklaroi se administrata e tij ka vendosur balancën e duhur mes sigurisë dhe privatësisë dhe theksoi se komunikimet në internet të amerikanëve nuk janë objektiv i përgjimeve.
Gjithashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë është përpjekur të sigurojë qytetarët, ata amerikanë dhe ata rezidentë në Shtetet e Bashkuara, se askush nuk po dëgjon bisedat telefonike të tyre.
Në këtë mënyrë, zoti Obama ka komentuar lajmet e publikuara këtë javë në gazetat “The Guardian” dhe “Wall Street Journal”, se Agjencia e Sigurisë Kombëtare po mblidhte të dhënat mbi telefonatat dhe komunikimet në internet.
Nga Kalifornia, zoti Obama theksoi se të dy programet e NSA-së janë autorizuar vazhdimisht për përdorim nga gjykatat dhe Kongresi, si dhe janë mbikëqyrur vazhdimisht nga komisioni i tij për shërbimet sekrete.
Presidenti tha se i kishte pritur me skepticizëm të dy programet, por pas vlerësimit të tyre dhe stabilizimit të mëtejshëm të sigurisë, kishte vendosur se “ia vlenin”.
“Nuk mund të kesh 100 për qind siguri, 100 për qind privatësi dhe zero rrezik. Pasi konstatuam disa anomali, na u desh të merrnim një vendim”, theksoi zoti Obama.
Më herët ishte shefi i spiunazhit amerikan, James Clapper që mbrojti programet përgjuese të qeverisë, të njohur me emrin Prizmi.
Të dhënat e mbledhura konsistojnë në numra telefoni, numrat e kartave telefonike, numrat në seri të telefonave të përdorur, kohën e telefonatës dhe zgjatjen e saj, por jo bisedën e zhvilluar apo adresat dhe informacionet financiare.
Top Channel