Nishani takon presidentin gjerman

07/06/2013 00:00

I ftuar të marrë pjesë në Takimin e 18-të Ndërkombëtar të Berlinit, që zhvillohet në Parlamentin gjerman, presidenti i Republikës Bujar Nishani u takua me presidentin e Republikës Federale Gjermane, Joachim Gauck dhe kryetarin e Bundestagut, Norbert Lammert.

Në të dyja takimet, kreu i shtetit shqiptar informoi të dy bashkëbiseduesit mbi situatën parazgjedhore. Ai vlerësoi se Shqipëria ka infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe teknike, si dhe kushtet e duhura, përfshirë pjekurinë qytetare dhe vullnetin politik, për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të lira, të ndershme dhe sipas standardeve të kërkuara, me qëllim përmbushjen e aspiratës integruese të popullit shqiptar.

Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë, Nishani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë në rrugëtimin integrues të Shqipërisë në strukturat evropiane.

Ai e konsideroi si mjaft të rëndësishëm mundësinë e rritjes së marredhënieve ekonomike midis dy vendeve dhe rolin e rëndësishëm për rritjen e imazhit të Shqipërisë në raport me rritjen e investimeve direkte gjermane në vendin tonë.

Pjesë e vizitës së presidentit Nishani në Gjermani ishte pjesëmarrja dhe mbajtja e fjalës në seancën e hapjes së Takimit të 18-të të Berlinit, me temë “Përgjegjësia para Zotit dhe Njerëzve”, ku kreu i shtetit vuri në dukje tolerancën dhe harmoninë fetare në Shqipëri, si një rast të rrallë në botë.

Top Channel