Berisha: Ligj për rrogën e 13-të

06/06/2013 23:20

Kryeministri Berisha, në Kombinat, ka premtuar një ligj për rrogën e 13-të për administratën dhe një bulevard të ri për Tiranën.

“Qeveria ka miratuar kredinë prej 60 mln euro, për ndërtimin e bulevardit dhe sistemimin e lumit të Tiranës, ku do të punësohen mijëra qytetarë të Tiranës. Rroga e 13-të për çdo punonjës të administratës shtetërore do të vendoset me ligj”, tha Berisha.

Berisha sulmoi, nga Kombinati, Edi Ramën si një gënjeshtar, duke thënë se taksa që ofron ai është taksa e urrejtes, që ka vendosur Karl Marksi.

“Ndiqeni shokun e autobusit, ju të gjithë burrave e grave në shesh, nesër do t’iu quajë robër e skllevër, mësuesit tanë i quan injorantë. Fëmijët i quan dele. Policët, i shoqëruar me vrasës vet, i quan banditë. Kjo është alternativa e tij. Por, kujdes me taksat. Ky është mashtrimi i tij më i madh. Taksa që ofron shoku i autobusit është taksa e urrejtjes, që vendosi Karl Marksi me manifestin e tij. Është taksa, që vendosi në Tiranë në vitin 1946 famëkeqi Spiro Koleka. Është taksa e shkatërrimit të dhjetra-mijëra vendeve të punës”, tha Berisha.

Në mbrëmje vonë, kryeministri ka marrë pjesë në mbrëmjen gala të të rinjve të gjimnazeve të kryeqytetit, ku vlerësoi guximin e tyre për të marrë pjesë në garë, dhe nuk harroi të urojë një fitore për kombëtaren shqiptare, të premten, me Norvegjinë.

“Gjithnjë fitojnë vetëm ata që guxojnë. Urime ia bëmë njëri-tjetrit. Të gjithë së bashku, një urim të zjarrtë Kombëtares sonë nesër. Kapitenit të saj, Lorikut, dhe të gjithë ekipit, që ai udhëheq. Fitore”, përfundoi Berisha.

Top Channel