Turqi, shtohen radhët e protestuesve

05/06/2013 00:00

Protestave të paprecedenta kundër qeverisë në Turqi dhe kryeministrit Rexhep Taip Erdogan i janë bashkuar së fundi edhe sindikatat. Me thirrjen “Taip jep dorëheqjen”, anëtarë të një duzine prej tyre marshuan në njërën prej rrugëve kryesore që të çon drejt sheshit “Taksim”.

Të gjithë mësuesit sot janë në grevë. “Nuk do të shkojmë në shkollë, nuk do të shkojmë në ëorkshop-e, asnjëri nga ne nuk shkon në punë; të gjithë jemi në sheshin “Taksim” me kërkesën që qeveria të lërë pushtetin. Ne jemi mësuesit e Turqisë dhe i themi këtij ekzekutivi: Ne nuk të duam”.

Protestat ndaj njeriut që qeveris vendin prej më shumë se 10 vjetësh, fitues të tre zgjedhjeve rresht, vazhduan edhe në kryeqytetin Ankara. Parku i saj “Kizilay” gëlonte nga njerëzit.

“Jemi këtu për të mbrojtur lirinë, për të ngritur zërin kundër cdo ndërhyrje ndaj saj dhe stilit të jetesës”.

Trazirat vazhduan për të pestën natë radhazi e përplasjet me policinë nuk kanë munguar edhe gjatë ditës. Kritikët e akuzojnë Erdoganin se e ndezi më keq situatën gjatë fundjavës kur i përshkroi demostruesit si “banda grabitësish” e më pas i lidhi edhe me terrorizmin.

Që kur kreu i ekzekutivit u largua për një vizitë në Afrikën Veriore, zëvendësi i tij Bulent Arinc i dha tone më pajtuese situatës. Njeriu i ngarkuar me drejtimin e qeverisë në mungesë të Erdoganit, u takua me një grup përfaqësuesish të demostruesve, “Platforma e solidaritetit të Taksimit”. Numrit dy të qeverisë iu dorëzua një listë kërkesash, që fillonte me pretendimet për të shkarkuar nga puna shefat e policisë së Stambollit, Ankarasë dhe qytete të tjera ku është përdorur dhunë ndaj protestuesve.

Aktivistët duan gjithashtu t’i jepet fund përdorimit të gazit lotsjellës, të lirohen të gjithë protestuesit e arrestuar gjatë këtyre ditëve, të pezullohet Guvernatori i Stambollit e të hiqet dorë nga planet për rizhvillimin e parkut “Gezi”, i cili është pjesë e sheshit “Taksim”.  “Hapat që ekzekutivi do të marrë në lidhje me këtë listë do të përvijojnë rrjedhën e ngjarjeve në vazhdim”, thanë pjesëtarët e delegacionit pas takimit.

Ndjesa e Arincit u hodh poshtë nga protestuesit me arsyetimin se “fjalët e tij sjellin ndërmend luftën civile”. Ekspertët thonë se ekziston një traditë e mungesës së tolerancës për opozitën në Turqi, pavarësisht se cila parti është në pushtet. Por protestat e vazhdueshme nuk do të ndihmojnë aspiratat e kryeministrit Erdogan për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të shtuar kompetencat e tij dhe as përpjekjet e Turqisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Më herët, 25 të rinj u arrestuan në Izmir vetëm sepse kishin shkruar në Tëitter: “Taksimi është kudo! Secili prej nesh është një pemë e Parkut Gezi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA