“Albpetroli, dështim i Qeverisë”

05/06/2013 00:00

Ekspertët thonë se hetimet për dështimin e privatizimit të
‘Albpetrol-it’ po keqorientohen qëllimisht, për të mos nxjerrë para
ligjit përgjegjësit për dëmin 85 milionë euro.

“Të 85 milionë eurot që i mungojnë buxhetit të shtetit, nuk është përgjegjësia as e firmës konsulente “Patton Boggs”, as e bankës atje. Përgjegjësia është tërësisht e institucioneve shqiptare dhe loja bëhet që të sfumohet përgjegjësia tashmë dhe sfumimi i përgjegjësisë është që gjoja do të hetojnë mbi kompaninë konsulente dhe mbi bankën amerikane”, thotë Pajtim Bello, ish-zëvendësministër i Energjetikës.

Edhe Kastriot Bejtaj, inxhinier gjeofizik dhe konsulent për industrinë e naftës, thotë se përgjegjësia është e gjitha e institucioneve shqiptare.

“Subjekti ‘Patton Boggs’, i cili është një konsulent ndërkombëtar, është në pozicionin vetëm të konsulentit. Pra përgjegjësitë ndaj ligjit shqiptar të tij janë zero. Përgjegjësinë kryesore ligjore për dështimin e procesit e ka Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i cili po ta shqyrtosh veprimtarinë e tij, që nga shpallja e kushteve teknike dhe financiare, konstaston që me një vullnet të plotë ky Komision ka shmangur respektimin e dispozitave ligjore në aspektin teknik dhe financiar, ndërkohë Këshilli i Ministrave e ka mbështetur këtë performancë të këtij komisioni”, thotë Bejtaj.

Dyshimet se garancia e detyruar ligjore prej 85 milionë euro ishte false u hodhën që në fillim të procesit, por Qeveria deklaronte publikisht se ato ishin të sigurta.

“Që kjo garanci nuk ka qenë e sigurt, u debatua që në momentet e tenderit dhe disa ditë pas tij, sepse nuk ishte vënë në një nga bankat që janë garantuese në këto raste të privatizimeve të kësaj madhësie. Realisht që këtu procesi duhet të mbyllej, përderisa kjo garanci nuk ishte hapur nga banka e nivelit të duhur”, thotë Bello.

Tashmë që tenderi ka dështuar ekspertët kërkojnë që procesi të hetohet me hollësi, jo vetëm nga Prokuroria por edhe struktura të tjera të shtetit.

“Komisioni i Kontrollit të Shtetit duhet që të marrë në shqyrtim të gjithë procedurat administrative dhe ligjore të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pasi aty kemi një precedent të rrezikshëm për të gjithë perfomancën e administratës shqiptare. Ndërkohë unë do të gjykoja që organet e tjera ligjvënëse të shtetit shqiptar, duhet të analizojnë me përgjegjësi këtë fenomen që ndodhi me privatizimin e Albpetrolit, në mënyrë që të rekomandojnë institucione përkatëse të shtetit shqiptar, të ekzekutivit, dekurajimin e skemave të tilla të mashtrimit publik”, tha Bejtaj.

Oferta e bujshme proej 850 milionë euro për blerjen e ‘Albpetrol’ rezultoi një dështim, pasi konsorciumi fitues “Vetro Energy” nuk i pagoi paratë, dhe as garancinë e detyrueshme me ligj 85 milionë euro.

Top Channel