Në Vreshtas të Korçës kryesocialisti Rama tha se Rilindja duhet të nisë nga fshati.

“Unë besoj me gjithë shpirt që në qoftë se fshati nuk rilind, nuk ka rilindje për këtë vend. Flasim pastaj fjalë që mbeten fjalë. Po nuk u kthyem tek toka, po nuk i dhamë krah cdo familje që jeton në fshat dhe cdo burri e gruaje që merret me tokën, po nuk rritëm prodhimin, po nuk ulëm koston e prodhimit, po nuk i garantuam prodhimit daljen në treg dhe po nuk i dhamë qytetit mundësi që të hajë më mirë dhe më lirë falë prodhimit këtu, ne nuk kemi bërë asgjë”, tha Rama.

Sipas zotit Rama, Partia Socialiste në programin e saj e ka të mirëpërcaktuar formulën për ringritjen e sektorit të bujqësisë.

“Mungon një strategji për prodhimin. Nuk mundet që qeveria të vijë dhe të të thojë shiko; me pataten nuk të eci provoje me lopën. Kjo nuk mund të ndodhë kështu. Ne do të bëjmë hartën e prodhimit, do të bëjmë rianalizimin e prodhimit bazuar mbi specifikat e territoreve, bazuar mbi kostot, mbi traditën, mbi eksperiencën dhe do të stimulojmë prodhimin sipas kësaj harte duke e ditur shumë mirë cfarë prodhon fusha e Korçës dhe cfarë do të stimulojmë dhe si do të mbështesim fermerin”, tha Rama.

Më pas lideri i opozitës ishte në Liqenas ku nuk kurseu ironinë për premtimet e kryeministrit Berisha.

“Universitet këtu unë nuk ju premtoj! Fabrikë kërpudhash, unë nuk ju premtoj! Tragete për të kaluar nga këtij andej, unë nuk i premtoj. Nëse këto doni t’i dëgjoni prap, ose të tjera më të mëdha, një sms gjyshit me antiplumb, vjen ai këtu, kujdes nga rojet se ka nja 200 roje. Uleni këtu dhe fillon ai ua bën këtë Nju Jork. E bën që të vijnë të gjithë gjermanët të thonë duam të jetojmë në Prespë”, deklaroi Rama.

Top Channel