“Shqip”: Qarqet e nxehta

03/06/2013 00:00

Fushata elektorale u vendos sërish në qendër të vëmendjes së “Shqip” në “Top-Channel”, por këtë herë jo me programe e përballje, por me qarqe elektorale, me ato shifra konkrete e ato pak vota që do të bëjnë diferencën në zona të ndryshme në 23 qershor.

Nën drejtimin e Rudina Xhungës, “Shqip” tentoi të ndërgjegjësonte se sa pak duhet e se si një votë e vetme mund të ndryshojë fatin e zgjedhjeve, ndërsa me të ftuarit Arjan Vasjari, Eduart Zaloshnja, Skëndër Gjinushi dhe Lutfi Dervishi, u identifikua ato rrethe që mund të përcaktojnë më shumë se të tjerët, se kush do të marrë mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.

Duke nisur fjalën e tij nga sondazhet e Partisë Socialiste, që flasin për fitimin e 77-80 mandateve, Vasjari vlerësoi Shkodrën si qark përcaktues, ndërsa zhvlerësoi rëndësinë e sondazheve aktuale. “Sigurisht që Partia Socialiste ka sondazhet e brendshme, por të flasësh për 77-80 deputetë, kur situata politike është tërësisht e paqartë, më duket e parakohshme, për të mos thënë abuzuese., Përsa i përket rretheve, ka zona që mbartin një “temperaturë” më të lartë e mbase midis zonave të nxehta, unë shoh si problematikenjë zonë e tillë problematike do të jetë Shkodra. Unë e shoh si zonë problematike”.

Për Vasjarin, është pretendimi i PS, FRD-së dhe LSI-së për një mandat më shumë secila në Shkodër, përballë të djathtës që do të tentojë të mbrohet, ai që do ta bëjë të veçantë këtë qark.

Ai që sheh një trend të qartë fitoreje për të majtës, është Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Social Demokrate. “Ajo që nuk llogaritet dot në këtë moment është shitblerja e mandateve dhe manipulimi, por megjithatë, të flasim për llogaritë që dalin. Për të bërë një prognozë, duhet nisur nga prirja e përgjithshme e 12 qarqeve, ku me përjashtim të njërit, në pothuajse të 11 tjerët e majta është në ofensivë, e synon të ndryshojë rezultatin në favor të saj, ndërsa e djathta nuk kërkon të thellojë askund. Duke nisur se 2009 është 70 me 70, çdo qark që arrin të ndryshojë këtë raport është përcaktues. Duke u nisur nga këto dy konsiderime, fitorja më duket qartë majtas, e të 12 qarqet janë në lojë, hiq Fierin që e shoh të vështirë për t’u kthyer”.

I pyetur për llojin e marrëveshjes për të cilën është rënë dakord me Partinë Socialiste, Gjinushi përsëriti: “Marrëveshja jonë është bashkëqeverisja me numër votash e mandatesh. Për momentin nuk kemi hyrë në gjëra konkrete, por absolutisht që PSD dihet që është forca e dytë e së majtës, nga fakti që në zgjedhjet e 2009-s, megjithë manipulimet u morën 28 mijë vota, ndërsa këtë herë synojmë të kalojmë 50 mijë”.

Pyetjes së një shikuese në “Tëitter”, për suksesin që mund të ketë koalicioni i majtë në qeverisjes, pavarësisht disa përçarjeve të brendshme si antipadia e njohur e PSD-së për LSI-në, Gjinushi komentoi: “Prandaj ky tren është me shumë vagonë, e kushdo mund të dojë të ulet ku dëshiron, por vagoni i PSD nuk ndërron drejtim. Deklaratat e Kastriot Islamit për LSI-në? Islami do të thotë që të gjithë janë si unë, derisa ndërrova unë për shkak të Metës, edhe ai do të ndërrojë për shkak të përvojës së fituar në politikë, por nuk i duhen besuar këto fakte”.

“77-80 deputetë e majta? Ka një thënie që nuk do të dëgjoni kurrë më shumë gënjeshtra se sa përpara zgjedhjeve”, hyri në bisedë Dervishi. “Të dëgjosh të vërtetën në këtë kohë është një lloj luksi, e normale që çdo koalicion bën propagandë, por nëse sot flasim për matematikë, matematika bazuar nga 2009, thotë që ka probabilitet të vogël për ndryshim mandati në Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Lezhë, ndërsa mundësitë maksimale për ndryshim i ka Fieri, Berati, Tirana dhe ndoshta Elbasani. Në qarqet e mëdha, si Tirana, është e natyrshme që votuesi shkon pak pas frymës, ndërsa në të voglat ka të bëjë shumë cilësia e kandatit të paraqitur. Në këto qarqe, deputeti ka një lloj lidhje më të ngushtë me elektoratin”, shtoi Dervishi.

Në vlerësimin e tij, ai pa si fenomene interesante të këtyre zgjedhjeve konkurrimin e dy deputetëve të pavarur, Priftit në Fier e Malajt në Vlorë, si dhe të “efektit Duka”, i dalë nga radhët e PS për të konkurruar me PR-në në Durrës. “Gara është e PD-së për të mbajtur mandatet e 2009-s, që me këtë rezultat janë 71 dhe 69, duke pasur parasysh LZHK në Fier, ndërsa koalicioni i majtë, për të ndryshuar rezultatin, unë shoh probabël në këtë sens vetëm 3-4 qarqe”, përmblodhi Dervishi.

Nga ana e tij, Eduart Zaloshnja foli me gjuhën e sondazheve, që ai vetë ka realizuar duke marrë të dhëna zyrtare të KQZ-së apo nëpërmjet metodave të anketimit. “Nga bisedat që kam pasur me kandadët e ndryshëm, më ka rezultuar deri më sot që Kuvendi do të ketë 180 deputetë, pasi secili thotë vota të sigurta këtu e atje, partitë flasin për mandate, etj etj. Ndërsa realiteti është tjetër, por duke parë historikun 12 vjet shohim disa qarqe që ka rregullsi, tip berati, ku e majta është mbi 66%, Qarku i Vlorës, siç dihet që janë mbi 60% të djathtët në Shkodër. Nga ajo që kam parë unë, është që ka tre lloje zonash. E para, zona të nxehta, kam quajtur ato qarqe ku duhet 100-200 vota për të ndryshuar balanca e 2009-s dhe ku ndryshimi është shumë më probabël. Bëhet fjalë për Tiranën, Beratin, Elbasanin e Fierin, ndërsa qarqe të “vakëta” janë Vlora, Kukësi, Korça dhe Shkodra, ku ndryshimet janë më pak të mundura, pasi duan ndryshime në 1-2 mijë vota nga rezultati i 2009-s”, parashtroi Zaloshnja.

Duke u ndalur tek qarku i Lezhës, Zaloshnja tha se pretendimeve të së djathtës për të marrë një mandat më tepër atje, shifrat flasin ndryshe: “Lezha është qarku ku e djathta mendon se mund të marrë një mandat më tepër, por sipas llogarive të mia duhet të shtojë 5.5 përqind, pra 4200 vota, për të marrë mandatin e pestë. Kjo është shumë më e madhe se gjithë shifrat ku të majtës i duhen më pak vota për të shtuar një mandat. Qarku i Beratit është bastion i LSI-së, duke e konsideruar të mirëqëne se Berati është shumë i ndryshueshëm, pyetja është që mandatin e gjashtë do ta marrë i dyti i LSI-së apo i pesti i PS?.

Ndërsa kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi tha se qarqet që mund të ndryshohet rezultati duhen parë në bazë të votës së 2009-ës: “Janë shifrat e 2009 për të parë se ku është më e lehtë të ndryshosh. Fakt është që më lehtësisht për të ndryshuar në bazë të këtyre shifrave është Berati, Elbasani, Tirana, pastaj Shkodra, Durrësi, ndërsa Fieri mund të ndryshojë në favor të së djathtës. Prirja është që opozita të marrë pushtetin përballë të djathtës dhe nuk ka sondazh që jep në rritje PD. Në Elbasan edhe me shifrat e 2009-ës e majta del një mandat plus sepse s’është efekti i ndarjes së votës. Sa për Beratin, LSI nuk mund të marrë 2 mandate, nuk ka gjasë që LSI të ketë rritje votash brenda së majtës. Ka edhe një fenomen FRD. FRD po të heqë një mandat në Tiranë dhe gjithmonë e djathta e humbet një mandat.

Të njëjtin qendrim shprehu edhe Zaloshnja, por në lidhje me qarkun e Tiranës: “Në Tiranë mjafton të bëhet me 51.5 përqind, pavarësisht votave të tjera, matematikisht e majta merr 17 mandate, pastaj ato 15 të tjerat nuk kanë rëndësi. Mjafton të shtohen 0.1 përqind të votave në Tiranë për të majtën”.

Ndërsa analisti Vasjari deklaroi se të dhënat e 2009-ës duhet të merren në konsideratë, por jo pa përfshirë edhe faktorët e rinj, që sic tha ai është AK dhe FRD: “Shifrat e 2009 janë një histori që mund të merret në konsideratë, por kaq. S’mund të anashkalohet fenomeni Kuqezi, që unë besoj se do të jetë një element që në zona të caktuara ka për të patur një impakt në votën e majtë. Gjithashtu FRD në Qarkun e Elbasanit, beson që Qarku i Elbasanit është i barabartë me Tiranën nga shpresa e tyre për të marrë një mandat deputeti. Ajo që mendoj se ka interes, është si do të orientohet vota”.

Analisti Lutfi Dervishi foli për polin e tretë. Sipas tij, mungesa e këtij polit është kushtëzuar ngaqë partitë i mbyt dëshira për të qenë në qeveri, jo për të qeverisur:  “Këtu mungon poli i tretë nga dëshira për të qenë në qeveri dhe jo për të qeverisur. Ky është modeli që frikëson”.
Ndërkohë, kreu i PSD-së, Gjinushi tha se nga përllogaritjet e të gjitha sondazheve, e majta fiton zgjedhjet me të paktën 73 mandate:  “Ne kur flasim për rezultatin, Berishën e fusim bashkë me manipulimet. Gjithë ky konfiguracion e bën të sigurt, 100 përqind koalicioni i majtë del me 73-74 mandate. 74 e lartë është ngjarje e sigurt, kurse më tej pastaj të shohim”.

Lidhur me zonat më të nxehta, Zaloshnja tha se asnjë qark në këto zgjedhje, të paktën sipas parashikimeve, nuk është qark “i ftohtë” të gjithë janë të nxehtë, sipas tij: “Nga informacioni që kam, mund të konstatoj që asnjë qark, nuk është i ftohtë, të gjithë janë të nxehtë. Po luftohet në Kukës, në Gjirokastër, kudo po luftohet. Megjithatë, nga rezultatet e 2009 në kohën kur qeveria aktuale kishte 30 përqind të buxhetit që e investonte për infrastrukturë, sot kjo qeveri s’ka as 10 përqind të buxhetit, duke parë këtë rënie të investimeve publike dhe duke marrë të mirëqëna pretendimet e opozitës se në 2009 janë manipuluar zgjedhjet shoh, katër qarqe të nxehta, Elbasan, Berat, Tiranë dhe Fier. Nga gjithë këto të dhënat, shoh shumë të mundshme që opozita të sigurojë 73 mandate sepse bëhet fjalë vetëm për 0.1, 0.2 deri në 0.3 përqind më shumë vota”.

Ndërsa për Vasjarin, Shkodra do të jetë një qark problematik që do të vendosë shumë gjëra. Duke u ndalur tek Tirana, ai tha se zgjedhjet në kryeqytet do të jenë edhe një test për punën e kryebashkiakut Basha: Shkodra do të jetë një qark problematik që do të përcaktojë shumë gjëra. Jam dakort që situata ka një lloj kristalizimi, të paktën duke iur referuar zgjedhjeve të 2009. Vota në Tiranë, në një farë mënyre do të jetë edhe test për punën e Lulzim Bashës. Vota në Tiranë do të jetë një votë indirekte për punën e tij në krye të Tiranës”.

Top Channel