Zgjidhja e çështjes së pronës është, sipas kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, guri i themelit mbi të cilin do të mbështetet raporti i qeverisë së ardhshme me qytetarët e këtij vendi, të cilet siç tha ai, kanë mëse 20 vjet që mashtrohen.

“Ne do ta mbyllim historinë njëherë e përgjithmonë. Kush ka tokën do marrë çertifikatën e pronësisë që të jetë pronar i asaj toke. Për ne do të jenë pronarë të gjithë ata që mbrojnë tokën”, deklaroi Rama.

Një tjetër pikë që do të realizohet nga qeveria e re e majtë do të jetë sipas Edi Ramës ringritja e Policisë së Shtetit për t’i rikthyer sigurinë shqiptarëve.

“Dalin njerëzit dhe ruajnë me çifte shtëpitë e tyre. Pse ndodh kjo? Sepse s’ka shtet. Nuk ka bujqësi sepse s’ka shtet, s’ka prodhim të garantuar sepse s’ka shtet. Ne në 300 ditët e para do ta rikthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës”, nënvizoi Rama.

Gjatë fjalës së tij në Vaqarr, kryesocialisti nuk kurseu as batutat për kryeminisrin. “E dini ju që peshkatarët shqiptarë shkojnë në Itali, mbushin anijet me naftë dhe kthehen këtu, sepse nafta e Saliut është më e shtrenjta. Vetëm në Shqipëri ndodh kjo, në asnjë vend të Mesdheut. Ai e dinte detin vetëm një govatë për të mësuar not vet”, u shpreh Rama.

Rama: KQZ, seksion i PD-së

Kryesocialisti Edi Rama gjatë një konference për shtyp u shpreh se kjo
KQZ, përfshi Kolegjin Zgjedhor, nuk do të mund ta tjetërsojnë verdiktin e
popullit në 23 qershor.

“KQZ-ja nuk është një institucion i pavarur, ka dalë nga korniza ligjore, është një organizatë partie, një seksion i Partisë Demokratike, i mbajtur ashtu me dhunë, le ta mbajnë. As KQZ-ja e Lefterisë dhe as Kolegji Zgjedhor i Saliut, nuk do munden dot të përmbysin vullnetin sovran të popullit shqiptar që do të shprehet përmes një fitoreje të thellë, të qartë, bindëse dhe ata thjesht do të bëjnë certifikimin formal të asaj fitoreje, e cila do të shkojë në segmentin midis 77-80 deputetëve. Të pavarurit janë funksion i Saliut, me apo pa dashje, me apo pa vetëdije, sepse çdo votë është një votë që buron nga kundërshtia për Qeverinë dhe që nuk shkon në koalicionin tonë, është një votë e çuar dëm, nga e cila përfiton vetëm pushteti”, tha Rama.

Ndërsa lirimin nga detyra të tre gjeneralëve Rama e cilësoi si një veprim brutal në vazhdën e rrënimit të Ushtrisë.

Legalizimet, Rama: Çështje e rëndësishme

Premtimet për legalizime pronash në komunën Kashar nga PD, Rama e quajti propagandë dhe për këtë sipas tij kjo Qeveri duhet ndëshkuar me votë.

“Në dorë kam një pusullë që e shpërndan Komuna e Kasharit dhe që i thotë njerëzve që të thërrasin një person të caktuar që t’ju legalizojë shtëpinë dy javë para zgjedhjeve. Çështja e legalizimeve është pjesë e çështjes së pronës.Jemi të vetëdijshëm që çështja e pronës është një çështje shumë e rënduar në vite dhe duhet zgjidhur me patjetër nëse duam një Shqipëri të zhvillohet normalisht.Nëse nuk zgjidhet çështja e pronës, çdo program apo fjalim për zhvillimin është propagande.Unë besoj se kjo qeveri duhet ndëshkuar me votë se e ktheu çështjen e pronës në propagande dhe nuk bëri asgjë për ta zgjidhur. Çështja e legalizimeve është pjesë e çështjes së pronës”, tha Rama.

Top Channel