“Do transformojmë Shqipërinë”

03/06/2013 00:00

Taksa progresive, sipas kryesocialistit Edi Rama, do të jetë një frymëmarrje për shqiptarët, që sot – sipas tij – po mbyten në premtimet boshe të kryeministrit aktual.

“Çdo njeri, që ka një rrogë nga 300 e ca mijë lek deri në 1,5 milionë lek të vjetra, do të përfitojë nga sistemi ynë i taksimit të ndershëm. Do të përfitojë mesatarisht 40 mijë lek në muaj dhe 1 rrogë më shumë, mesatarisht, në fund të vitit vetëm nga skema e taksimit të ndershëm. Ndërkohë që, sigurisht, e gjitha kjo duhet të shoqërohet nga hapja e vendeve të reja të punës, do të shoqërohet me rritjen e ekonomisë familjare”, tha Rama.

Në Golem, kryesocialisti Rama tha se zgjidhja e problemit të pronës është baza, mbi të cilën do të mbështetet raporti i qeverisë së ardhshme me shqiptarët.

“Për sa kohë që shtëpia nuk është e legalizuar, atëherë është një kapital i vdekur, sepse nuk ta njeh njeri. Në momentin kur ne bëjmë legalizimin dhe kjo shtëpi kthehet në pasuri të patundshme, familja e vë menjëherë në lëvizje, duke iu drejtuar bankës e duke i thënë ‘unë kam këtë kapital, më jep tani një kredi, që unë të hap një biznes të vogël, apo që unë të blej 50 lopë, apo që unë të mbjell këtë tokën time me ullinj apo me dru frutorë, dhe unë të filloj të prodhoj e të shes për të fituar parà’”, theksoi Rama.

Lideri i opozitës, duke e vënë theksin te domosdoshmëria për të ngritur dhe forcuar arsimin profesional, ironizoi edhe kryeministrin Berisha.

“Duhet t’i japim prioritet arsimit profesional dhe duhet të kemi sa më shumë zanatçinj. Po më thoshin në portin e Durrësit, se po mbaron, po tretet gjenerata, që kishte teknikët e peshkimit. S’kemi më teknikë, pasi i gjithë ekuipazhi i ka rolet e ndara dhe të gjithë duhet të jenë zanatçinj, nuk janë njerëz dosido, hajde ngjitu në varkë edhe gjuaj peshk me antiplumb si Saliu. Po kështu duhen zanatçinj për bujqësinë, blegtorinë, për naftën, për energjinë dhe për të gjitha zanatet e nevojshme në industrinë e shërbimeve”, përfundoi Rama.

Top Channel