Berisha: Rama mashtron shqiptarët

02/06/2013 00:00

Nga Pogradeci në një takim me biznesin vendas, kryeministri Berisha deklaroi se pas marrjes së mandatit të tretë qeveria do të heqë cmimin e referencës për të gjitha importet që vijnë nga BE-ja.

“I kemi gjetur 36 përqind, i kemi zbritur në 4 përqind dhe do heqim cdo referencë për mallrat që ju importoni nga Bashkimi Europian”, tha Berisha.

Shefi i qeverisë ironizoi premtimet e Partisë Socialiste për taksën progresive, një sistem që sipas tij është në fakt i mbështetur mbi mashtrimin dhe ndryshe nga c’thekson opozita ajo sjell rritjen e barrës për biznesin e vogel.

“Mirë i fali ata që paskan nën 1500 dollarë të ardhura vjetore, po ata të tjerët që kanë mbi këtë? Atyre nuk u tregon sa do e kenë nivelin sepse niveli do të jetë fillimisht tek 25-a dhe do fluturojë pastaj sic kërkonte Marksi në manifestin e tij; të taksohen rëndë të pasurit dhe kapitalistët”, shtoi kryeministri.

Ndërkohë që zoti Berisha paralajmëroi edhe ndërmarrjen e një nisme ligjore ndaj kryetarit te Bashkisë Pogradec i cili është fajtor sipas tij për rritje të paligjshme të taksave për biznesin e vogël.

Në Pogradec kryeministri ka përuruar edhe rikonstruktimin e spitalit të këtij qyteti ku ai e vuri theksin edhe tek zhvillimi që ka patur sektori i shëndetësisë gjatë qeverisjes së PD.

“Së bashku me sektorin privat këto vite kemi investuar në spitale, në qendra shëndetësore, në pajisje mjekësore 300 mln dollarë. Sot Shqipëria disponon aparaturat absolutisht të fjalës së fundit, sot lista e barnave të rimbursueshme është ndër më të plotat që ekziston në ndonjë vend”, deklaroi Berisha.

Berisha prezanton kandidatët në Pogradec

Në vijim të fushatës elektorale të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha ka prezantuar mbrëmjen e së dielës kandidatët për deputetë në qytetin e Pogradecit.

Berisha është shprehur i bindur se fushata, që po zhvillon partia e drejtuar prej tij, është “ajo e një fitoreje të sigurt”.

Kryeministri nuk ka lënë pa përmendur arritjet e PD-së në pushtet, gjatë këtyre dy mandateve, dhe ka vijuar me premtimet e tij për qytetarët e Pogradecit dhe gjithë Shqipërisë, në kërkim të një tjetër mandati.

“Do të bëjmë gjithcka për krijimin e vendeve të reja të punës. Gjatë viteve që lamë pas, të cilat ishin vite krize për Europën, ne – theksoi Berisha, – arritëm t’ia dalim mbanë dhe të shmangim krizën. Në 4 vitet në vijim investimet e huaja do të rriten nga 4 në 6 milionë dollarë”, u shpreh Berisha.

Më pas, kreu i PD-së nuk ka kursyer as kritikat për liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama, duke iu kundërvënë si taksës progresive, që Rama ka premtuar të rikthejë në fuqi, pas ardhjes në pushtet, ashtu edhe fushatës së zhvilluar nga kreu i PS-së deri tani.

Sipas tij, “Rama zhvillon një fushatë me ofendime, duke nisur nga nëpunës shtetërorë e deri të njerëzit e thjeshtë, që i quan skllevër”. Më tej ka vijuar edhe me kundërpërgjigjet ndaj sulmeve të Edi Ramës, i cili ka thënë se Sali Berisha bën fushatë me jelek antiplumb ngado dhe i shoqëruar nga 200 roje”.
 

Top Channel