Swoboda: 3 ligjet nuk mjaftojnë

31/05/2013 19:40

Pas miratimit të tre ligjeve, tashmë zgjedhjet janë në krye të kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë për vazhdimin e hapave të tjerë integrues.

Kryetari i grupit social-demokrat në Parlamentin Europian, Hanes Swoboda, ndërsa deklaron rëndësinë e zgjedhjeve si kusht për integrimin, thotë se nuk është një sinjal i mirë që KQZ është e paplotësuar.

Ai bën apel që edhe anëtarët që janë aktualisht në veprim të mos sillen si partiakë, por të garantojnë menaxhim të drejtë të proçesit zgjedhor.

TCH: Zoti Swoboda, Parlamenti shqiptar votoi 2 ligjet e mbetura dhe rregulloren. Tani, a mund të marrë vendi statusin kandidat pa mbajtur  zgjedhje të lira e të ndershme?

Swoboda: “Ky ishtë një nga kushtet që u përmbush tashmë. Por, mendoj se kushti parësor është sigurisht që ne duam të kemi më në fund  zgjedhje të lira, të ndershme e korrekte në Shqipëri. Ky është parakusht, sepse ne kemi vëzhguar prej disa vitesh zgjedhjet e Shqipërisë e në të kaluarën gjithnjë ka pasur probleme, ndaj le të shpresojmë se këtë radhë nuk do të ketë. Ky do të ishte një hap i madh përpara drejt nisjes së negociatatave për anëtarësim, ose të paktën për të marrë statusin kandidat”.

TCH: A mund të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme me problemin aktual në përbërjen e KQZsë?

Swoboda: “Është e vështirë sigurisht që të bësh zgjedhje të lira e të ndershme kur ju nuk keni një mirëfunksionim të Komisiot Qëndror të Zgjedhjeve dhe fakti se njëri prej anëtarëve u nxorr pak a shumë jashtë për shkak se ndryshoi përbërja e qeverisë nuk është sinjal i mirë për sjelljen demokratike. Gjithësesi, unë shpresoj se edhe ky Komision Qëndror Zgjedhor i një-anëshëm do të shohë me korrektësi e do të garantojë se do të bëhet gjithçka për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Le të shpresojmë se ata janë në lartësinë e standarteve, jo të partive politike, por të barazisë”.

TCH: Pse është thelbësore për Shqipërinë mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme?

Swoboda: “Ne duam të shohim progres brenda Shqipërisë dhe për Shqipërinë në Bashkimin Europian, prandaj këto zgjedhje janë të rëndësishme. Për këtë arsye, kushdo që është në KQZ duhet të veprojë me ndershmëri e jo si anëtar partie. Kjo është detyra e tyre. Në të kundërt do të kemi një ngërç në Shqipëri, do të kemi kthim pas në praktikat e vjetra. Kjo gjë mund të duket e këndshme në një lojë, por është realiteti dhe nuk duhet të kthehemi pas në praktikat e vjetra”.

Pergatiti: Arta Tozaj

Top Channel