FATOS BAXHAKU – Mao Ce-Duni, një nga njerëzit më të shquar, në të mirë a
në të keq, të shekullit XX, një herë e një kohë pat shkruar: Populli
është i varfër dhe si një letër e bardhë. Kjo duket si një gjë e keqe,
por në realitet është një gjë e mirë. Varfëria të nxit për ndryshime,
për aksion, për revolucion. Mbi një letër të bardhë pa shkarravitje mund
të shkruhet e të vizatohet gjithçka që është më e re dhe më e bukur…
Fjalë me vend këto të Kryetarit Mao! S’ke ç’u thua. Duhet të na lindë menjëherë pyetja se përse na hyjnë në punë tani mendimet e Kryetarit të lavdishëm në një kohë që ne jemi tashmë një popull me prirje tipike europiane, euroatlantike e më gjerë akoma? Të rinjve të sotëm mund t’u duket si absurde kjo mënyrë të menduari, që ngërthen në vetvete Konfucin, Marksin dhe vetë Maon. Por ja që bota ka qenë e vogël edhe para Internetit.
Për ata që nuk e dinë, Kina ka qenë një aleat i fortë politik, ekonomik, kulturor, por edhe ndërgjegjeformues për Shqipërinë e dekadave të fundit të diktaturës. Me mijëra nxënës, disa prej të cilëve liderë të sotëm politikë, shkencëtarë, kryetarë vendorë, publicistë, analistë, gazetarë, botues, artistë, dashur pa dashur u ndikuan nga cunami që krijoi Revolucioni Kulturor, që vinte që nga Kina e largët. Ca nga që, nga politika e vërtetë nuk kemi marrë vesh kurrë si popull, mbase me përjashtim të ndonjë periudhe si ajo e Zogut, e ca ngaqë u bashkuan befas ksenofobia mbrojtëse, komunizmi i importuar, ateizmi agresiv dhe prirjet ende të fuqishme fisnore, te ne lindi një lloj i ri “homo politicus” (Enveri e quajti “njeriu i ri”). Ky nuk duhej të mendonte, nuk duhej të dyshonte, të diskutonte, duhej të ishte pa vesë dhe të festonte vetëm kur t’i thoshte lideri. Po të bëhej ca spiun bënte edhe më mirë. Kjo lloj specieje duhej të ishte e gatshme të jepte jetën për partinë dhe për liderin, fare pa u menduar njësoj si ai që thoshte dikur “ç’më duhet mendja kur nuk kam tru?”. I kishte dhënë besën, nuk kishte kthim mbrapa. Se nga cilët shembuj ishte frymëzuar kjo lloj “feje” absurde do ta themi ca më poshtë. Puna është se edhe në ditët tona shohim militantë që hanë thonjtë nga padurimi derisa të takojnë liderin e tyre të admiruar. Për ta njerëz të tillë si Berisha, Rama apo Meta e ndonjë tjetër lindin vetëm një herë në 100 vjet. Mbase edhe më shumë: një herë në 1000 vjet! Për këta, zgjedhjet janë njësoj si një finale e Champions League. Për këta njerëz, ngjyrat më të rëndësishme nuk janë e kuqja dhe e zeza, që normalisht duhet të ishin më të rëndësishmet për ne, porse bluja dhe e kuqja, ose më saktë “mavia”, sikurse ka thënë Ai. Është e tepërt të themi se në këtë rast ajo që na duhet më shumë, pra mendja, nuk hyn aspak në punë. Përse të lodhemi duke vrarë mendjen për derisa Ai e di vetë këtë punë?
Gjithçka ka nisur me Lej Fenin, një hero imagjinar kinez. Të rinjtë e sotëm me siguri do të ngrenë supet në formë habie po t’u kujtosh emrin e tij. Sa për t’u zbavitur ca me histori të vjetra: Ky ishte një djalë i varfër i popullit punonjës. Sipas versionit zyrtar – të botuar në shqip më 1964 – ky paskësh lindur në një familje të shkundur fshatare në 1932. Pastaj, paska dhënë jetën heroikisht kur një tra i rëndë e goditi m’u në çaçkë të kokës, teksa po përpiqej të shpëtonte kamionin, të cilin ia kishte besuar partia e tij e vetme.
Ja disa pjesë të ditarit të tij që frymëzoi Revolucionin Kulturor edhe te ne, me sa duket me pasoja të pariparueshme deri më sot:
Thjesht 1959
“…Kryetari Mao Ce-Dun i ngjan babait. Ideologjia e Kryetarit Mao i ngjan diellit. Babai në çdo rast kujdeset për mua. Dielli më rriti mua…”.
12 janar 1960
“…Kur lufta është më e vështirë dhe fitorja është më afër, ky është çasti kur njeriu mund të lëkundet më lehtë… Brenda vështirësive gjendet fitorja, brenda fitores gjendet suksesi. Zotësia e luftëtarit revolucionar duket në përpjekjet e tij për të kapërcyer vështirësitë, për të korrur fitoren, dhe duke përballuar disfatën të arrijë suksesin…”
Thjesht 1960
“… Këndoj një këngë të malësisë, që ta dëgjojë partia. Në këtë këngë e krahasoj partinë me nënën. Nëna më lindi mua, kurse drita e partisë shndriti zemrën time…”.
Thjesht 1960
“…Në të ardhmen, për t’i qëndruar besnik çështjes së partisë, për t’iu bindur gjithmonë partisë, do të bëj gjithnjë atë që thotë partia, kurrë nuk do të shikoj interesin tim personal…”
20 gusht 1960
“…Disa njerëz më quajnë budalla. Nuk është e vërtetë që unë jam budalla. Unë dua të bëhem një njeri i dobishëm për popullin, për Atdheun. Në qoftë se këto veprime janë të një budallai, atëherë unë me kënaqësi do të dëshiroja të bëhem një budalla i tillë, sepse revolucionit i nevojiten budallenj të tillë, sepse ndërtimit të socializmit po ashtu i nevojiten budallenj të tillë…”
21 tetor 1960
“…Unë nuk do t’i harroj kurrë shprehjet: T’i duash shokët si ngrohtësinë e pranverës. Në punë të jesh i zjarrtë si vera. Pastro egoizmin si era e vjeshtës gjethet. Të jesh i ashpër me armiqtë si dimri”.
8 nëntor 1960
“…Oh, sa e emocionuar je ti o zemra ime. Sa e madhe je ti partia ime! Sa largpamës jeni Ju, Kryetari Mao Ce-Dun! Jetën e re, që kaloi ua kushtoj Juve Kryetari Mao! Ju më shpëtuat jetën kur ndodhesha në buzë të varrit, Ju më përtëritë jetën, më ushqyet, më veshët dhe më dërguat në shkollë…”
Nëse ndokush shikon mes këtyre paragrafëve lejfenianë dhe sloganeve të sotëm të militantëve tanë ndonjë paralelizëm në këtë pragzgjedhjesh, atëherë duhet të besojmë se ajo kohë vazhdon vërtet të komandojë në kryet e shumëkujt prej nesh. Jo më me stema e dacibao, porse me mënyrën “revolucionare” të të menduarit, apo më saktë të të mosmenduarit. Nëse kemi fat dhe bindemi se nuk është kështu, atëherë politikanët dhe militantët e shumtë shqiptarë kanë shpëtuar përfundimisht nga makthi i Revolucionit Kulturor. Porse ama, kjo do një dozë tepër të fortë optimizmi që të besohet. Dhe optimizëm në kësi kohësh nuk është se po kemi me tepri.
Gazeta “Shqip”
Top Channel