Meta: Ekonomia është e sëmurë

31/05/2013 00:00

Në një takim me studentë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka garantuar se do të jetë pjesë e koalicionit të majtë edhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Këtë përgjigje Meta e dha pas pyetjes nëse do të jetë LSI aleatë me PS edhe në rast se e majta do të humbte zgjedhjet. Ai garantoi se e majta do të fitojë zgjedhjet dhe sfida e saj është ringjallja e ekonomisë.

“Ekonomia jonë është një trup i sëmurë që ka nevojë për ndërhyrje të shpejta dhe afatgjata, ndaj për ne është kjo është e rëndësishme”, tha Meta.

Mbështetja e arsimit profesional

Jozefina Topalli vizitoi panairin e shkollave profesionale në Shkodër, ku u premtoi nxënësve dhe mësuesve pesëfishim të investimeve për arsimin profesional.

“Sigurisht që në mandatin e ardhshëm do të jenë shumë më tepër, të paktën 5-fishi i investimit në shkollat profesionale”, tha Topalli.

Më pas zonja Topalli vijoi me një takim me zonjat dhe vajzat e qytetit të Shkodrës, në një prej lagjeve autoktone shkodrane, ku deklaroi se qeveria ka bërë shumë për Shkodrën, por se ka ende shumë rrugë për të ecur përpara.

Topi: Seanca e turpit e Kuvendit

Nga qyteti i Vlorës, ku prezantoi kandidatët për deputetë të FRD-së, kryetari Bamir Topi e quajti seancën parlamentare për votimin e tre ligjeve, një turp për politikën shqiptare.

“Seanca parlamentare dëshmoi në mënyrë ekzemplare amoralitetinh të politikanëve, qofshin të mazhorancës apo të opozitës që nuk kanë kanë shqetësimin më të vogël që Shqipëria më së fundmi ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Topi.

Topi akuzoi lidershipin e PD-së se tradhëtoi kauzën e së djathtës dhe demokratët e 91-shit, duke e përfunduar legjislaturën me deputetë të majtë.

Ruçi: Votë revolte kundër Berishës

Gramoz Ruçi u ndal në Hekal të Mallakastrës ku u kërkoi qytetarëve që më 23 qershor të japin një votë revolte kundër premtimeve të pambajtura të qeverisë Berisha.

“Është koha që më datë 23 secili nga ne të bëjë bilancin e punës kësaj qeverie të paaftë, kësaj qeverie nepotike, kësaj qeverie krahinariste, kësaj qeverie të inkriminuar, kësaj qeverie të korruptuar”, tha Ruçi.

Basha: Rama po bllokon Tiranën

Kryebashkiaku Lulzim Basha zhvilloi një takim me banorë të njësive bashkiake 3, 9 dhe 10 në kryeqyetet. Për kryebashkiakun Basha, kërcënimeve të Ramës për bllokim të projekteve të Tiranës, qytetarët do t’i përgjigjen më 23 qershor.

“3 javë para 23 qershorit ai ka guximin të cënojë në ditë me diellë dhe natë më hënë se do të bllokojë projektet e Bashkisë së Tiranës. Meqë jemi para një zgjidhje të qartë, për të mos u kthyer më pas po për të vazhduar përpara, për interesin tuaj, për zhvillimin, për Shqipërinë europiane”, deklaroi Basha.

PR prezanton kandidatët në Burrel

Fatmir Mediu prezantoi në Burrel kandidatët për deputet të Partisë Republikane. Gjatë fjalës së tij, Mediu vuri theksin tek mbrojtja e pronës private dhe lirisë së njeriut.

“Duke filluar dhe duke siguruar garantimin dhe shenjtërinë e pronës të ndërtojmë mirëqënien tonë. Ne do të kërkojmë në bashkëpunim me Komisionin Europian, një vlerësim të të gjitha ligjeve për pronësinë sepse tashmë janë një kusht i domosdoshëm për marrjen e statusit të vendit kandidat”, u shpreh Mediu.

Veliaj dhe Xhuvani në Greqi

Kandidati për deputet i PS në Gjirokastër, Erjon Veliaj dhe kandidatja e Vlorës Luiza Xhuvani zhvilluan një takim me emigrantë shqiptarë në qytetin e Janinës duke premtuar zgjidhjen e çështjes së pensioneve.

“Nëse e gjithë bota e civilizuar po pranon që ky burrë, kryetari i partisë sonë, është shqiptari më i denjë për të udhëhequr vendin, është tani radha jonë që të pranojmë atë që po pranon e gjithë bota, që të konfirmojmë atë që po konfirmon e gjithë bota”, tha Veliaj.

Idrizi: Parlament mbarëkombëtar

Nga “Sheshi i Flamurit’, Shpëtim Idrizi prezantoi kandidatin e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet për Vlorën, Dashamir Tahiri. Idrizi ndau me vlonjatët shtyllën kryesore të programit politik të partisë së tij.

“Ne kemi propozuar që përvec parlamentit të shtetit amë ne të kemi një parlament mbarë kombëtar të të gjithë deputetëve shqiptarë”, tha Idrizi.

Kandidati për deputet Tahiri kërkoi mbështetjen e qytetarëve që PDIU të çojë në parlament shtatë deputetë, si garantuesit më të mirë të interesave kombëtare.

Gjinushi takime në Lezhë

Krytari i Partisë Social Demokrate Skender Gjinushi vijoi takimet elektorale në qytetin e Lezhës ku kërkoi votën për partinë e tij si një votë për të ardhmen e vendit.
“Hyjmë në këto zgjedhje me synimin për të qenë forcë e dytë e së majtës, pasi ajo e meriton të jetë e tillë si përfaqësuesja më dinjitoze e së majtës shqiptare”, tha Gjinushi.

Vota për Berishën tha Gjinushi do të thotë kthim në të shkuarën.

Shehi: Mos votoni kompaninë e betonit

Dashamir Shehi prezantoi kandidatin për depuetet të LZHK-së në Durrës nga ku u kërkoi qytetarëve të mos votojnë kompaninë e betonit apo shoqërinë aksionere të PS.

“Do votohet në shtator për Merkelin. Bujrum le të vijë e majta gjermane se do vijnë ca burra të nderuar, mirpo këtu tek ne vjen një kompani ndërtimi, një shoqëri aksionere, ata do të vijnë”, tha Shehi.

Milo: E majta, garante

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo zhvilloi një takim elektoral në Laprakë ku u kërkoi qytetarëve të votojnë PDS si garante e progresit të vendit.

“Në emër edhe të qytetarëve që do të na votojnë, në emër të atij elektorati që ne e kemi konstant, të na votojnë më shumë sepse duke votuar PDS kanë votuar për progresin dhe për europianizimin e Shqipërisë”, tha Milo.

Top Channel