“Fitoren s’ka KQZ që e ndal”

31/05/2013 00:00

Gjatë takimit të tij elektoral me banorë të ardhur nga zonat veriore të vendit, që banojnë në lagjen Shkozë, Rama u shpreh se kuksianët janë nga Tirana dhe askush nuk do ta ndajë Shqipërinë.

“Dikush që vjen nga një familje kuksiane dhe lind këtu, mendoj se ata tashmë janë nga Tirana. Ne jemi këtu për të ndërtuar një Shqipëri, që është 28 mijë km katror, nuk jemi këtu për ta ndarë kush është nga veriu dhe kush nga jugu”, tha Rama.

Rama ritheksioi edhe në këtë takim elektoral, se do të ulen taksat dhe se do të punësohen ata që bëjnë punën.

“Do të kemi ulur taksat, do të kemi rritur punësimin, do të kemi bërë shëndetësinë falas dhe do t’i kemi dhënë fund legalizimeve, do kemi përmirësuar infrastrukturën dhe do jemi në gjendje t’i themi njëri-tjetrit që, bëmë mirë atëherë që u takuam, sepse morëm një vendim të rëndësishëm. Të votosh do të thotë të marrësh në punë dikë, që ti mendon se do të zgjidhë disa probleme. Boll e mbajtët në punë Saliun”, u shpreh Rama.

Rama, më pas, ka bërë batuta për karrigen e kryeministrit.

“Ne themi jo, është e kundërta. Në këtë pikë, ne me LSI-në nuk jemi dakord. Karrigen ta marri po me 1 euro. Fëmija s’di të lexojë dhe ti i thua, s’ka problem babi se është i yni ky. T’ia japim këtij, sepse na vjen ai komunisti. Unë komunist dhe Saliu anti-komunist. Unë dhe Ditmiri kemi persekutuar njerëz, po ky çfarë bënte? Ku ishte ky? Apo te varka, ishte mbi varkë ky dhe nuk dinte se çfarë bëhej në breg”, ironizoi Rama.

Lideri socialist tha se fitorja do të jetë aq e madhe, sa s’ka KQZ që e ndal.

“Për KQZ-në mos u shqetësoni, nuk do fitojmë me 10 vota, por do fitojmë me dhjetra-mijëra vota, kështu që Lefterija nuk ka çfarë bën”, përfundoi Rama.

Rama: Premtojmë rend dhe siguri
“Do ulim TVSH-në për produketet bazë të ushqimit”

Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë takimit të tij elektoral në lagjen Don Bosko, në kryeqytet, ka premtuar më shumë rend dhe siguri, duke vënë në dukje se krimi e ka çuar vendin në anarki.

“Kemi marrë një zotim solemn që në 300 ditë do rivendosim Policinë e Shtetit në krye të detyrës. Kush prek një qytetar ka prekur shtetin, kush prek pronën e një familjeje ka prekur shtetin dhe do përballet me shtetin”, ka deklaruar Rama.

Rama ka premtuar heqjen e TVSH-së për pesë produktet bazë të ushqimit, si edhe uljen e çmimit të energjisë elektrike.

“Një kilovat me një kile miell ka brenda 20 për qind taksë. Ne do heqim TVSH-në për 5 produktet bazë. Gjithashtu, ne do ulim taksën tek fatura e energjisë për familjarët, do ta bëjmë 6”, ka thënë Rama.

Sipas liderit socialist, të votosh të majtën në 23 qershor, do të thotë të kesh qeverinë e re në krah. “Vota për PS më 23 qershor do të thotë të shohim transformimet që do të jenë më të mëdha se ato që kemi bërë. Unë e njoh mirë Tiranën dhe e kam të qartë se çfarë duhet bërë dhe se për çfarë ka nevojë ajo. Do jetë një qeveri kombëtare që e ka të qartë nevojën e kryeqytetit”, ka shtuar Rama.

Në fundin e këtij takimit elektoral, një anëtar i PD-së ka grisur kartën e tij të anëtarësimit duke i premtuar Ramës votën e tij.

Rama: Do të kryej vetë legalizimet

Më herët gjatë ditës, për më shumë se një orë kreu i opozitës Edi Rama bashkëbisedoi me
banorët e zonës që njihet si ish-Fusha e Aviacionit në Tiranë.

Duke u ndalur në problemet e arsimit Rama tha se të rinjve Berisha iu dha vetëm një rrugë, universitet, universitet dhe vetëm universitet, por jo punë. Ndërsa ne, shtoi Rama, ofrojmë universitet ose zanat. Bashkëbisedimi i Ramës ka vijuar për shqetësimet të lidhen me titujt e pronësisë.

“Zgjidhja e problemit të pronës është kyç dhe ka tre elementë, pronarët, kthimet dhe kompensimet si janë bërë dhe si duhet të përfundojnë, fermerët dhe bujqërit që nuk kanë certifikatën e pronësë dhe familjet që kanë ndërtuar shtëpitë dhe nuk kanë titullin e pronësisë. Momenti që ajo bëhet pasuri e patundshme e jotja, në atë moment ndryshon gjithë cikli i këtij kapitali dhe i jetës tënde. Cështja e legalizimeve është një cështje që lidhet me gjithë planin tonë të Rilindjes Ekonomike dhe ne procesin e legalizimeve do ta nisim menjëherë dhe unë do ta drejtoj personalisht. Ne përralla nuk tregojmë, për përralla keni gjyshin me antiplumb”, tha Rama.

Rama shpjegoi rëndësinë e votës në 23 Qershor dhe taksimin, si një prej kollonave të rëndësishme të programit të PS.

“Eshtë shumë e rëndësishme që njerëzit në këto zgjedhje të kuptojnë një dallim shumë të madh. Dallimi më i madh mes nesh se Saliu ju gënjen për t’ju marrë votat. Për ne nuk jeni zgjedhës jeni njerëz dhe kjo do të thotë që të gjithë të përfitojmë. Do të bëjmë cmos të ulim koston e jetesës për pensionistëve dhe familjeve. Kemi plan uljen e taksave për 95 për qind të shqiptarëve”, tha Rama.

Top Channel